Pasi mbylli sezonin me kampionatin dhe kupën në xhep, Shkëndija e Tetovës ka nisur përforcimet për sezonin e ardhshëm.
Skuadra e shqiptarëve në Maqedoni ka treguar vitet e fundit se synon që të jetë gjithnjë e më shumë skuadër e gjithë Maqedonisë, përmes afrimeve të disa lojtarëve me kombësi maqedonase, që veshin fanelën kuqezi.
Së fundmi është një talent që skuadra tetovare bën të vetin. Bëhet fjalë për Konstantin Çeshmexhiev. 22-vjeçari, që ka mbajtur shiritin e kapitenit tek përfaqësuesja maqedonase U21 u ble nga Akademia Pandev, me të cilën luajti 30 ndeshje dhe shënoi 3 gola në sezonin që lamë pas.
Çeshmexhiev shihet si një ndër qendërmbrojtesit më premtues të përfaqësueses së Maqedonisë dhe rrit konkurrencën në repartin mbrojtës të Shkëndijës, që synon të kalojë turnet, pse jo me pak fat edhe të hyjë në grupet e Ligës së Europës.
“E di se Shkëndija ka publik të shkëlqyeshme, kanë tifozët besnikë si dhe publikun neutral. Stadiumi gjithmonë është i mbushur. Dëshira e futbollistëve është që të luajnë para tribunave të mbushura, një motiv shtesë për secilin. Shpresoj që edhe në Europë të kalojmë disa xhiro, pse jo edhe të hyjmë edhe në grupe”, u shpreh Konstantin Çeshmexhiev për kanalin e KF Shkëndija menjëherë pas prezantimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.