Futboll

Shkëndija dështon në sfidën e parë, ngec edhe Atalanta e shqiptarëve

Nuk ka shkuar siç duhet ndeshja e parë në fazën play off të Ligës së Europës për të vetmen skuadër shqiptare që luan në kompeticionet europiane. Shkëndija e Tetovës është mundur 3-1 në përballjen e parë me Rosenborg. Por as skuadra tjetër e populluar nga shqiptarët, Atalanta nuk ka bërë mirë në këtë sfidë të parë të Ligës së Europës, duke barazuar 0-0 me Copenhagen.

Për tetovarët e Shkëndisë ishte shumë e vështirë përballë gjigandëve norvegjez që kontrolluan ndeshjen gjatë gjithë kohës. Vendasit nuk patën shumë vështirësi për të gjetur rrugën e  rrjetës, duke shënuar që në minutat e para të ndeshjes dy gola të shpejtë, që ndryshuan krejtësisht rrjedhën e takimit. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 3-0 dhe skuadra e Qatip Osmanit dukej tërësisht e dorëzuar. Por gjithsesi në 45 minutat e dyta, Shkëndija do të provonte të bënte diçka dhe do ia arrinte të shënonte golin e shpresës në minutën e 76’. Me këtë humbje në shifrat 3-1, për Shkëndinë tashmë është shumë e vështirë që të pretendojë kualifikimin edhe pse asgjë nuk është e pamundur.

Ndërkohë Atalanta e Gjimshitit dhe Berishës është ndalur në një barazim befasues në shtëpi përballë Copenhagen. Dy lojtarët shqiptarë qëndruan gjatë gjithë ndeshjes në stol, pa mundur dot të kenë minuta në këtë përballje. Skuadra bergamaske beri shumë pak për ta fituar përballjen në shtëpinë e saj dhe tashmë do i duhet shumë punë për të siguruar kualifikimin për në grupet e Ligës së Europës.

Sakaq vijon udhëtimi i bukur i ekipit modest të Luksemburgut, Dudelange. Skuadra që më herët kishte eliminuar skuadrën kosovare të Dritës tashmë është shumë pranë kualifikimit për në grupet e Ligës së Europës, pas fitores së parë që ka marrë përballë CFR Cluj në shtëpi në shifrat 2-0. Nëse do të kualifikohej Dudelange do të shkruante historinë, pasi do të ndodhte për herë të parë në histori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë