Shkencë

Shkencëtarët janë në prag të një zgjidhje për trajtimin e epilepsisë rezistente ndaj barnave

Për pacientët me epilepsi rezistente ndaj ilaçeve, ultratingulli i fokusuar (FUS) është një opsion trajtimi i sigurt dhe joinvaziv që kërkon 10 minuta për t'u kryer, sugjerojnë studimet e hershme. Megjithatë, një ekspert paralajmëron se rezultatet janë "shumë paraprake".
Në një provë të fazës së parë ku kanë marrë pjesë gjashtë pacientë nuk rezultuan ndryshime radiologjike nga trajtimi FUS.
"FUS me intensitet të ulët, mund të përdoret në mënyrë të sigurt në pacientët me epilepsi,” tha autorja e studimit Hsiang-Yu Yu, shef i seksionit të epilepsisë, Spitali i Përgjithshëm i Veteranëve në Taipei Tajvan.
Gjetjet u publikuan në internet më 2 nëntor në revistën “Epilepsia” dhe studimi u financua nga Ministria e Shkencës dhe e Teknologjisë bashkë me Institutin Kombëtar të Kërkimeve Shëndetësore në Tajvan.
Alternativë ndaj kirurgjisë?
Sipas ekspertëve prevalenca e vlerësuar e epilepsisë rezistente ndaj ilaçeve mund të jetë deri në 36%. Edhe pse ndërhyrjet kirurgjikale ofrojnë qetësi për shumë prej këtyre pacientëve, jo të gjithë janë kandidatë të mirë për kirurgji.
Neuromodulimi është një alternativë ndaj operacionit, por shpesh kërkon implantimin e elektrodave ose pajisjeve të tjera. Studimi aktual ishte një provë e hapur, e pakontrolluar që vlerësoi sigurinë e FUS tek njerëzit. Studimi përfshiu gjashtë pacientë (67% meshkuj; mosha mesatare, 31.5 vjeç; kohëzgjatja mesatare e epilepsisë, 12 vjet) me epilepsi rezistente ndaj ilaçeve, të cilët iu nënshtruan implantimit me stereo elektroencefalografi (SEEG) për vlerësim kirurgjik. SEEG dhe EEG e kokës u regjistruan njëkohësisht për të gjithë pacientët.
Sistemi FUS i përdorur në studim siguroi trajtim që udhëhiqej nga një sistem gjurmimi neuro-navigimi. Studiuesit synuan për trajtim rajonet e trurit që treguan ndryshimet më të hershme në SEEG gjatë krizave.

Ekzaminimet nuk treguan ndryshime radiologjike të mëdha dhe episodet epileptike tek pacientët patën një ulje të lehtë. Episodet u ulën në katër pacientë dhe mbetën në të njëjtat nivele tek dy të tjerë.
Trajtimet aktuale të neuromodulimit për epilepsinë bazohen kryesisht në mekanizmat elektrikë ose magnetikë, theksojnë hetuesit.
"FUS modulon aktivitetin nervor përmes efekteve mekanike, të cilat janë të ndryshme nga stimulimi i nervave apo stimulimi i thellë i trurit. Periudha e vëzhgimit nuk ishte mjaft e gjatë për të demonstruar efikasitetin klinik në këtë studim të fazës 1. Hetuesit po përgatiten të kryejnë një provë të fazës 2 me një periudhë më të gjatë vëzhgimi dhe trajtim të përsëritur me kohëzgjatje të shkurtër. Ne shpresojmë të shohim efikasitetin klinik me këto metoda të reja," tha Yu.
Duke komentuar studimin Samuel Wiebe, profesor i neurologjisë në Universitetin e Calgary, Kanada, kërkoi kujdes gjatë interpretimit të gjetjeve.
"Ne të gjithë duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se këto janë rezultate shumë paraprake. Studimi nuk ofron asnjë dëshmi të dëmtimit ose ndryshimeve të përhershme strukturore në indet e trurit kur përdoret FUS me frekuencë të ulët për neuromodulim," tha Wiebe, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.
Sipas tij efekti i modelimit të neuroneve i shkaktuar nga metosa FUS është demonstruar te kafshët dhe studiuesit pohojnë se studimi i tyre ofron prova fillestare që tregojnë se metoda mund të funksionojë dhe tek njerëzit.
“Shumë kushte që lidhen me epilepsinë nuk mund të trajtohen pa procedura standarde kirurgjikale. FUS hap mundësinë e ofrimit të trajtimit minimal invaziv ose joinvaziv si hap fillestar për pacientët e përshtatshëm me vatra epileptike diskrete. Nëse pacienti nuk përgjigjet, atëherë mund të merren parasysh teknika të tjera,” tha ai.
Burimi: Medscape/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë