Shkencë

Shkencëtarët hapin “Kutinë e Pandorës”, qelizat njerëzore mbijetojnë te embrioni i majmunit

Një grup shkencëtarësh amerikanë kanë hapur “kutinë e Pandorës” dhe ndezur një debat etik e moral përmes një eksperimenti të injektimit të qelizave njerëzore në embrionin e një majmuni.

“Krijesa” hibride mbijetoi në laborator për më shumë se 20 ditë. Autorët shpresojnë që këto embrione njeri-majmun të shërbejnë në të ardhmen si modele për të ndihmuar në kurimin e sëmundjeve njerëzore, zhvillimin embrionik dhe kundër plakjes.

Një raport përmbledhës i këtij eksperimenti është publikuar në revistën “Cell”. Shkencëtarët thonë se përmes vazhgimit të ndërveprimit mes qelizave njerëzore dhe atyre të majmunit mësuan se si të ndihmojnë qelizat njerëzore të mbijetojnë mes qelizave të kafshëve, duke hedhur një hap në objektivin për të “kultivuar” organe njerëzore brenda kafshëve.

“Këto studime hapin një dritare të re në biologjinë njerëzore. Sigurisht që zhvillimi artificial i krijesave të kryqëzuara mes njeriut dhe kafshëve ngre shqetësime etike, sidomos për kohën se sa gjatë këto embrione duhet të lejohen që të jetojnë”, thonë shkencëtarët.

Në të shkuarën, grupe studiuesish të ndryshëm janë përpjekur që të inkorporojnë qeliza staminale njerëzore te embrionët e derrit dhe të deleve. Qëllimim ishte zhvillimi i teknologjisë dhe mundësisë së rritjes së organeve njerëzore për qëllime transplantimi në trupin e një kafshe. Por, në të dyja këto eksperimente qelizat njerëzore nuk mbijetuan.

Studiuesit thanë se kjo lidhej kryesisht me faktin se derri dhe delja nuk janë mjaftueshëm të ngjashëm dhe u hodh ideja e testimit të së njëjtës metodë tek majmunët.

“Distanca evolucionare me majmunët është më e vogël dhe kjo na jep relativisht më shumë mundësi që qelizat staminale njerëzore të mbijetojnë dhe integrohen në embrionin e tyre. Të dhënat e siguruara nga ky studim mund të na ndihmojmë se si të rrisim qeliza njerëzore, e rrjedhimisht organe njerëzore duke përdorur kafshët”, thotë Izpisua Belmonte, udhëheqës i studimit.

Burimi Live Science. Përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë