Shkencë

Shkencëtarë gjejnë një ilaç për problemet e shtyllës kurrizore

Minjtë me lëndime të shtyllës kurrizore janë përmirësuar pasi morën një ilaç të zhvilluar fillimisht për njerëzit me sëmundje të mushkërive. Studiuesit kanë thënë se trajtimi së shpejti mund të testohet te njerëzit. Aktualisht dëmtimi i palcës kurrizore nuk ka kurë.

Tani studiuesit në Universitetin e Birminghamit thonë se një medikament i quajtur "AZD1236", i zhvilluar fillimisht për të trajtuar sëmundjen pulmonare obstruktive kronike te njerëzit është treguar efektiv.

Rezultatet, të publikuara në revistën "Clinical and Translational Medicine", treguan se ilaçet bllokojnë veprimin e enzimave të njohura si MMP-9 dhe MMP-12 që aktivizohen pas dëmtimit të palcës kurrizore. 

Si ndikuan të dhënat e studimit te minjtë?

Rezultati ishte se ënjtja e palcës kurrizore u reduktua, nivelet e proteinave të lidhura me inflamacionin dhe dhimbjen u ulën dhe prishja e barrierës gjaku-palcën kurrizore ishte e kufizuar. Gjithashtu u reduktuan cikatricet e indit lidhor.

Ekipi tha se krahasuar me minjtë e lënduar që nuk iu dha AZD1236, ata që iu dha ilaçi për tre ditë treguan 85% përmirësim në lëvizje dhe ndjesi gjashtë javë pas dëmtimit të shtyllës kurrizore. Për më tepër, përfitimet ishin të ngjashme nëse ilaçi jepej menjëherë pas dëmtimit të shtyllës kurrizore ose 24 orë më vonë.

"Ajo që po bëjmë është që po zvogëlojmë dëmtimin e indeve nervore. Në këtë mënyrë, ne po ruajmë gjithnjë e më shumë neurone”, tha Zubair Ahmed nga Universiteti i Birminghamit, një bashkëautor i studimit.

Ahmed tha se gjetjet ishin emocionuese, duke shtuar se për shkak se AZD1236 ishte treguar tashmë i sigurt te njerëzit, ai mund të hynte në provat njerëzore më shpejt.

"Pesë deri në gjashtë vjet dhe ky mund të jetë një trajtim i mundshëm, nëse gjithçka shkon mirë," tha ai.

Mariel Purcell, një konsulente në lëndimet e shtyllës kurrizore e cila nuk ishte e përfshirë në punë, i mirëpriti gjetjet. Pot ajo paralajmëroi se rezultatet ishin, deri më tani, të kufizuara te brejtësit dhe nuk ishte ende e qartë nëse përfitime të ngjashme do të shiheshin te njerëzit.

Burimi: The Guardian/ Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë