Treg

Shkeli rregullat e tregut, një tjetër gjobë rekord për Facebook

Facebook u gjobit me mbi 60 milionë euro nga Autoriteti i Konkurrencës në Britaninë e Madhe për shkelje të qëllimshme të rregullave të tregut të lirë.

Çështja lidhjet me blerjen nga Facebook të kompanisë “Giphy” në vitin 2020. Ky transaksion dhe të dyja kompanitë u vunë nën hetim. Autoritetet britanike thanë se Facebook nuk kishte ofruar informacion për këtë blerje, kishte shpërfillur paralajmërimet duke kryer një shkelje të rëndë.

Facebook i mohon akuzat, duke deklaruar se nuk i ka shkelur rregullat qëllimisht.

Gjoba përbën rekord për Facebook në Brianinë e Madhe. Ajo është rreth 150 herë më e lartë se një gjobë prej rreth 400 mijë eurosh të vendosur më parë për akuza të ngjashme.

“Kjo është hera e parë që një kompani gjobitet për refuzim dhëniesh informacioni mbi blerjet”, tha përmes një deklarate Autoriteti i Konkurrencës në Britaninë e Madhe,

Giphy përdoret gjerësisht nga rivalët e Facebook për të animuar imaazhet që përdoren në mediat sociale, sidomos në aplikacionet e tyre. Blerja e kësaj kompanie nga Facebook shkaktoi shqetësim te rivalët e tij.

Britania nuk ka përmbyllur ende hetimet, ndërsa procesi i shkrirjes së Giphy me Facebook është pezulluar deri në përfundim të tyre. Gjatë kësaj periudhe, Facebook veç gjobës së majme që duhet të paguajë është i detyruar që të ofrojë përditësime në lidhje me veprimtarinë e kompanisë Giphy, që duhet të operojë si e pavarur.

Kjo është gjoba e dytë që i njoftohet Mark Zuckerberg brenda pak ditëvë. Më herët ishin autoritetet amerikane që e gjobitën me 15 milionë dollarë po për sjellje monopol në treg. Ndërkohë, kompania ka të hapura një sërë hetimesh e procesesh gjyqësore që mund të çojnë faturën totale të gjobave në mbi 100 milionë euro.

Në Francë, Gjermani dhe nga vetë Bashkimi Europian kanë nisur hetimet në lidhje me mënyrën e ruajtjes dhe përdorimit të të dhënave personale nga ana e rrjetit social, ndërsa SHBA po e akuzon për fshehje të raporteve të brendshme mbi ndikimet negative të rrjetit social te të rinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë