Bota

Shkeli ligjet kundër monopoleve në SHBA, Martin Shkreli urdhërohet të kthejë 64 mln dollarë

Një gjykatë federale ne Shtetet e Bashkuara te Amerikës urdhëroi të premten Martin Shkrelin të kthejë 64.6 milionë dollarë fitime që ai dhe kompania e tij kishin siguruar nga rritja masive artificiale e çmimit të ilaçit “Daraprim”.

Gjithashtu biznesmenit me origjinë shqiptare i ndalohet përgjithmonë të marrë pjesë në industrinë farmaceutike.

Të premten gjyqtarja Denise Cote e urdhëroi atë të kthente 64.6 milion dollarë (47 milion £) në fitimet që ai bëri nga skema. Ajo tha se veprimet e Shkrelit kishin shkelur ligjet kundër monopoleve. Shkreli aktualisht po vuan dënimin me burg për mashtrim të investitorëve.

Vendimi erdhi pas një procesi gjyqësor që nisi pasi Komisioni Federal i Tregtisë dhe shtatë shtete ngritën padi ndaj Shkrelit në vitin 2020.

Shkreli ishte shef ekzekutiv i kompanisë “Turing Pharmaceuticals”, kur ajo rriti çmimin e ilaçit “Daraprim”, i cili trajton një infeksion të rrallë parazitar që prek gratë shtatzëna, pacientët me kancer dhe pacientët me SIDA. Ai dhe kompania e rritën çmimin 5000%, ose 750 Dollarë për pilulë.

Shkreli i mbrojti veprimet e tij, duke thënë se ishte në përputhje me rregullat. Por veprimet e tij ngjallën indinjatë, duke filluar që nga qendrat mjekësore deri tek kandidatët për president në vitin 2016, Hillary Clinton dhe Donald Trump.

Në një vendim prej 130 faqesh, gjyqtari fajësoi Shkrelin për krijimin e dy kompanive, “Vyera” dhe “Retrophin Inc”, të dizajnuara për të monopolizuar barnat, në mënyrë që ai të mund të përfitonte “mbi kurrizin” e pacientëve, mjekëve dhe shpërndarësve, raporton “Reuters”.

“Sjellja antikonkurruese e Shkrelit në kurriz të shëndetit publik ishte flagrante dhe e pamatur”, shkruan në vendimin e tij gjyqtari. “Ai nuk është penduar. Ndalimi i tij nga mundësia për të përsëritur atë sjellje nuk është asgjë nëse jo në interes të drejtësisë”, thuhet më tutje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë