Rend dhe Ligj

Shkarkohet ish-drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela

Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra prokuroren Donika Prela, ish-drejtuese e Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Trupa gjykuese e KPA tha se Prela nuk justifikon dhe ka fshehur pasurinë, si dhe ka kryer deklarim të pasaktë.

Prela u konfirmua në detyrë në shkurt 2019 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pavarësisht problematikave të shumta dhe akuzave ndaj saj që nxori në pah seanca dëgjimore.

Por në prill të vitit të kaluar, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e saj, duke e argumentuar me mosjustifikimin e një pjese të pasurisë.

Gjatë shtrimit të kërkesës së tij për rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë, komisioneri tha se Prela kishte mungesë burimesh financiare në blerjen e një apartamenti në Tiranë, ndërsa bashkëshorti i saj kishte shmangur taksat, teksa paguhej me dy bordero në një kompani. Problematike u konsideruan edhe dy transaksione me 25 mijë euro dhe 1.7 milionë lekë nga bashkëshorti i Prelës, shifra të pathëna në deklaratat e pasurisë.

Më herët, Prela kishte kërkuar përjashtimin nga trupi gjykues të Ina Ramës dhe Natasha Mullajt, pasi u kishte hetuar më konkretisht kushërirën dhe vëllezërit, por kjo kërkesë nuk iu pranua.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë