Politike

Shkarkimi i Metës, PS i drejtohet komisionit të Venecias. A po tërhiqet mazhoranca?

“Për veprimet e mia jam i gatshëm të përballem deri në gjykatën e Hagës”. Kjo do të ishte deklarata sfiduese e Ilir Metës menjëherë pas nismës së shpallur nga mazhoranca socialiste për shkarkimin e tij nga posti i presidentit. Tashmë socialistët përballë kësaj sfide kanë gjetur një zgjidhje për të synuar edhe certifikimin e shkeljeve të presidentit që ato pretendojnë me veprimet e ndërmarra për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Partia Socialiste ka vendosur që t’i drejtohet zyrtarisht Komisionit të Venecias, një strukturë në varsësi të Këshillit të Europës. Nisma u bë publike sot në komisionin e posaçëm hetimor i ngritur për shkarkimin e Presidentit. Ka qenë pikërisht socialistja Klotida Bushka që hodhi propozimin në fjalën për marrjen e një ekspertize apo opinioni të Komisionit të Venecias.

Mbledhja e komisionit

“Është hera e parë që ne si Parlament shqyrtojmë një çështje të tillë, për shkarkimin e Presidentit. Është rasti për t’iu drejtuar Komisioni të Venecias me një kërkesë për opinionin se shumë çështje i referohen sjelljes së presidentit për mënyrë arbitrare dhe këto janë çështje në fokus të Komisionit të Venecias. Bëhet fjalë është analizuar edhe të drejtat e njeriut. Kështu bazuar edhe në nenin 16/3 të Rregullores që sapo miratuam të vendosim marrjen e një opinioni të komisioni të Venecias, për sa kohë fusha e veprimit bie në punën e këtij komisioni dhe për të drejtat e njeriut. I kërkoj kryetarit të Parlamentit që t’i drejtohet komisionit të Venecias që për gjykimin tim do të na ndihmojnë, pasi është hera e parë që sugjerohet një gjë e tillë”, deklaroi Bushka.
Ajo e bëri këtë propozim, pasi edhe deputetët e opozitës kërkuan që të merret edhe mendimi i ekspertëve ndërkombëtarë për faktin nëse presidenti ka kryer shkelje ose jo të Kushtetutës.
Kërkesa është mbështetur menjëherë nga socialistët, por se anëtarët e opozitës janë shfaqur disi skeptikë lidhur me afatet që mund të kthejë përgjigje Komisioni i Venecias, pasi mund të reagojë mbasi qt përfundojë afati tremujor i komisionit hetimor.
Një pretendim i tillë u shfaq nga ana e nënkryetarit të komisionit, deputetit të opozitës, Alban Zeneli, i cili u shpreh pro mendimit të ndërkombëtarëve, por përpara se Bushka t’i drejtohet Venecias të vihen në dijeni për materialin dhe pyetjet.
Kjo u pranua nga të gjithë se materiali do të vihet në dispozicion të anëtarëve të komisionit. Kështu pritet që me anë të një vendimi të ndërmjetëm t’i kërkohet kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të t’i drejtohet zyrtarisht Komisionit Venecias, i cili ka dhënë mendime për ndryshimet e Kushtetutës, ligjet e Vettingut apo dhe Kodin Zgjedhor sa herë që iu është kërkuar.

Deputetet, Alban Zeneli


Deputeti i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi u shpreh kundër kësaj, pasi siç u shpreh ai këtë betejë ndërmjet Kryeministrit edhe Presidentit nuk kanë pse ta ndërkombëtarizojnë.
Ndërsa është miratuar plani hetimor i punës së komisionit, ku edhe pse u kërkua nga opozita që thërritet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni që refuzoi të zbatonte dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, nuk u përfshi, por u la e hapur.
Mes opozitës dhe mazhorancës ka pasur debate edhe për faktin se në rregullore është shmangur e drejta e opozitës për të paraqitur një mendim pakice. “Ne mund të jemi një qëllim për të këtë komision, por s’mund t’ia mohoni të drejtën opozitës që të paraqesë një mendim paralel”, theksoi Zeneli. Kërkesa e opozitës është pranuar dhe se mund të parashikohet edhe një raport paralel.

Komisioni hetimor miratoi edhe rregulloren e komisionit, ndërsa nuk është përcaktuar ende nëse do të ketë kërkojë që presidenti të thërritet me forcë për të dëshmuar në komisionin. “Kjo është e parashikuar në ligjin për komisionet hetimor dhe në Kodin e Procedurave”, theksoi Manja.
Deputeti Zeneli kërkoi veprime proporcionale, duke kërkuar që vendimi për shkarkimin e Metës të mos merret pa pritur më parë ngritjen Gjykatës Kushtetuese.
Kësaj kërkesë Manja iu kundërpërgjigj se nëse shihet e nevojshme mund të shtyhet afati i punës së komisionit hetimor përtej atij tremujor. “Por me sa jemi informuar Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është në metrin e fundit për të emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Manja.
Adresimi për në komisionin e Venecias nga ana e socialistëve duket si një lëvizje për të bindur opozitën parlamentare për të shkarkuar presidentin Meta, si dhe për të pasur një kartë të fortë, se nëse shkeljet e pretenduara mund të certifikohen edhe nga ekspertët ndërkombëtarë. Gjithsesi kjo lëvizje mund të shihet edhe si një tërheqje e socialistëve, pasi Venecia mund të rrëzojnë pretendimin e tyre se presidenti Meta anulimin e zgjedhjeve bëri një shkelje të rëndë të Kushtetutës.

 

Më Shumë