Rend dhe Ligj

Shkarkimi i Enkeleida Hoxhës, KLGJ shtyn seancën, çfarë tha gjyqtarja përmes një letre

Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh për të diskutuar mbi shkarkimin e gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, pas lirimit me kusht nga ana e saj të Hekuran Billës

Seanca u drejtua nga nënkryetari i KLGJ, Maks Qoku, por në mungesë të gjyqtares dhe avokatit të saj, Ardian Visha.

KLGJ i kishte kërkuar drejtorisë së përgjithshme të burgjeve që të bënte të mundur prezencën e gjyqtares Enkeleida Hoxha.

Kjo e fundit mësohet se ka bërë një deklaratë me shkrim ku ka kërkuar që seanca dëgjimore të shtyhet për shkak të gjendjes së pozitës ku ndodhet. “Nuk dëshiroj të shoqërohem nesër”,  kështu thuhet në deklaratën që gjyqtarja ka bërë me shkrim dore.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani tha gjatë seancës se procesi duhet të vijojë.

“Unë isha kundër shtyrjes edhe herën e kaluar.

Nuk jam dakord që të shtyhet, nuk e shoh si arsye të ligjshme, të paktën me aq sa dëgjova në këshill nga deklarata e saj. E para sepse magjistratja është njoftuar dhe vetë avokati gjithashtu është njohur. Mbase këshilli duhet ta kontaktojë që të kuptojë se pse nuk është ende këtu”, u shpreh ai.

Në mungesë të avokatit me të cilin nuk ishte mundësuar komunikimi dhe vetë magjistrates është propozuar që seanca gjyqësore të shtyhet.

Për këtë propozim ra dakord edhe kreu i ILD, Artur Metani. Sipas tij seanca duhet të shtyhet maksimumi dy ditë.

Anëtarët e Këshillit kanë diskutuar mbi mundësinë e gjetjes se një mekanizmi, me qëllim që të zhbllokohet situata, dhe të mundësohet pjesëmarrja e gjyqtares në seancë.

Për këtë arsye, ata kanë propozuar që seancën e radhës të mundësohet komunikimi online me gjyqtaren.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë