Futboll

Shkarkim rrufe i Lopeteguit

Julen Lopetegui zbriti paraditen e së martës me një qetësi të dyfishtë në kompleksin stërvitor në Krasnodar, aty ku Spanja po u jep dorën e fundit përgatitjeve para fërshëllimes fillestare të Botërorit.

Për trajnerin e kombëtares spanjolle gjërat po ecnin si mos më mirë. Skuadra kampione e botës në 2010 vijonte përgatitjet sipas parashikimeve dhe pa asnjë surprizë të pakendshme, ndërsa ai vetë kishte siguruar stolin e Realit të Madridit si pasues i Zinedine Zidane.

Lajmin se fill pas botërorit do të ulej në stolin e skuadrës “Merengues” e konfirmoi vetë klubi të hënën dhe trajneri pak orë më vonë. Por, në federatën spanjolle gjërat nuk u pritën mirë. Presidenti i ri i Federatës, Luis Rubiales ka mësuar vetëm pesë minuta para se Reali të dilte në me një komunikatë zyrtare se çfarë po ndodhte.

Presidenti i Federatës Spanjolle Luis Rubiales

Ai ka braktisur menjëherë kongresin e FIFA-s që po zhvillohet në Moskë dhe ka fluturuar me shpejtësi drejt Krasnodarit gjatë natës. Në mëngjes është takuar me Lopeteguin në qendrën stërvitore të spanjollëve.

Takimi ka qenë i ndezur. Mediat spanjolle shkruajnë se Rubiales nuk e ka kapërdirë faktin se gjithçka i është mbajtur e fshehtë dhe për më tepër që njoftimi është dhënë pa pritur që të përfundojë njëherë Botërori.

Menjëherë pas takimit kokë më kokë, zyrtarët më të lartë të federatës spanjolle dolën në një konferencë për shtyp. Aty shprehën zhgënjimin e tyre në lidhje me sjelljen e Lopeteguit, që vetëm pak ditë më parë kishte rinovuar kontratën e tij në stolin e Spanjës dhe ndëshkimi për këtë ishte maksimal: shkarkimi.

Presidenti i Federatës Luis Rubiales e argumentoi vendimin e tij me mënyrën se si Lopetegui arriti marrëveshjen me klubin e Real Madrid.

“Negociatat janë zhvilluar pa asnjë dijeni nga Federata, që e mësoi vetëm 5 minuta para konferencës për shtyp. Kjo nuk është normale dhe kishte mënyra të tjera për të mos mbërritur deri këtu”, ka deklaruar Rubiales .

Tashmë nga spanjollët pritet me ankth emri i trajnerit të ri, që me gjasa do të njoftohet po sot. Për momentin, skuadra do të vazhdojë përgatitjet nën urdhërat e zëvendësit të Lopeteguit, që është gjithashtu një prej kandidatëve për të udhëhequr fushatën e Botërorit që nis ditën e enjte.

Spanja do të luajë ndeshjen e parë të premten përballë Portugalisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë