Treg

Sherri për bojën anulon një kontratë 6 mld dollarëshe mes Airbus dhe Qatar Airways

Airbus ka anuluar një kontratë 6 miliardë dollarësh me Qatar Airways për 50 avionë të saj të rinj pasagjerësh “A321neo”, duke përshkallëzuar një betejë ligjore midis dy kompanive për bojën në modelet A350 të dorëzuar së fundmi.

Qatar Airëays reagoi duke deklaruar se vendimi i Airbus ishte për keqardhje dhe zhgënjyes. Në dhjetor, Airbus u padit nga Qatar Airways në Londër, pas një sërë problemesh me avionin Airbus A350.

Linja ajrore u ankua se boja në Airbus A350-të e dorëzuar së fundmi plasaritej dhe rrëzohej copa-copa, duke ekspozuar rrjetën e bakrit të përdorur si veshje në trupat e avionëve për t’i mbrojtur ata nga goditjet e rrufeve.

Kompania arabe po kërkon më shumë se 600 milionë dollarë kompensim pas ndalimit të fluturimeve në 21 nga 53 avionët e flotës së saj A350, duke pretenduar se çështja e bojës është një rrezik sigurie.

Marrëveshja thuhet se ishte 6.35 miliardë dollarë kur u finalizua në dhjetor 2017. Qatar Airways publikoi një video në mediat sociale të premten, të pjesës së jashtme me shenja të avionëve A350, që linja ajrore tha se tregonte "shqetësime serioze dhe legjitime të sigurisë".

Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Europian e vlerësoi në mënyrë të pavarur çështjen dhe nuk gjeti shqetësime për sigurinë.

“Nuk ka asnjë bazë të arsyeshme apo racionale që rregullatorët e Katarit të jenë bazuar në vendimin për ndalimin e A350 të operuar nga Qatar Airways”, tha Airbus në dokumentet e përgatitura për një seancë gjyqësore në Londër të enjten.

Airbus akuzoi Qatar Airways se po e përdorte këtë shqetësim të ngritur nga hiçi për të mbrojtur interesat e saj dhe ulur avionët në dritën e pandemisë së Covid dhe kriza që preku këtë sektor nga kufizimet.

Qatar Airways hodhi poshtë pretendimet në një deklaratë të premten.

“Këto defekte nuk janë sipërfaqësore dhe një nga defektet bën që sistemi i mbrojtjes nga rrufetë e avionit të ekspozohet dhe të dëmtohet. Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje Airbus që të ndërmarrë një analizë të kënaqshme të shkaqeve rrënjësore për shkakun e defekteve", thuhet në deklaratën e kompanisë arabe.

Një hetim nga agjencia e lajmeve Reuters tregoi se të paktën pesë linja ajrore të tjera raportuan të meta në bojë, ose veshjen e A350 që nga viti 2016, shumë përpara se Katari të ngrinte shqetësime në nëntor 2020 kur një përpjekje për të rilyer një avion në ngjyrën e Kupës së Botës ekspozoi rreth 980 defekte.

Airbus ka thënë se është duke kërkuar ndryshimin e dizajnit të rrjetës kundër rrufesë për A350-at e ardhshëm, por këmbënguli se ekziston një mbrojtje e përshtatshme rezervë nga rrufetë. Ai thotë se Katari po minon protokollet globale me përpjekjet për të ndërhyrë te siguria e avionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë