Lajme

Sherri me armë te “Uji i Ftohtë”, shkon në 7 numri i të arrestuarve

Ka shkuar në 7 numri i shtetasve të arrestuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në maj të këtij viti në Vlorë ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të 3 personave, ku u plagos aksidentalisht 63-vjeçari D. C.
Ngjarja ndodhi në një lokal në lagjen “Ujë i Ftohtë”.
Në sajë të operacionit policor “Gjurmimi”, janë kapur dhe arrestuar 3 shtetas të tjerë.
Siç njofton policia, është arrestuar shtetasi me inicialet Xh. M., 36 vjeç, lindur e banues në Vlorë, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .
Operacioni ka vijuar edhe në Itali dhe është bërë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në afërsi të Romës, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë:
Bëhet fjalë për shtetasit I. M., 31 vjeç dhe G. D. 42 vjeç, të dy banues në Vlorë;
Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit F. H. dhe vijon puna për kapjen e tij.
Ndaj shtetasve I. M., G. D. dhe F. H., Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje”.
Në lidhje me këtë ngjarje,të ndodhur më 14 tetor të këtij viti janë arrestuar edhe 4 shtetas, ndërsa 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë.
Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të shtetasve I. M dhe G. D, për veprat penale "Vrasja në rrethana cilësuese", e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, "Armëmbajtja pa Leje” dhe në ngarkim të shtetasit Xh. M, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe "Përkrahja e autorit të krimit" .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë