Mendim

Shënim/ Andi Lila kërkon të shënojë gol në politikë pa nisur ndeshja

Në fundverën e vitit të kaluar, ish-futbollisti i Kombëtares Andi Lila do të propozohej në listat e kandidatëve për deputet nga PD-ja në vendin e tij të lindjes, Kavaja.

Procesi kaloi në disa faza dhe e fundit për nga baza ishte ajo e votave kontestuese, se cilët prej kandidatëve të propozuar kishte më pak mbështetje.

Për Andi Lilën kishte mjaftueshëm vota të kontestuara referuar emrave të tjerë në listë, që kishin mbështetje më të madhe.

Megjithatë, me ngazëllimin e një rioshi në politikë Andi Lila do të falenderonte të gjithë kavajasit që e kishin mbështetur në rrugën e tij të re, atë të politikës.

Paralelisht, prej një viti, Andi Lila drejton Sindikatën e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, pa lënë ndonjë shenjë deri më tani.

Në faqen e tij në Facebook ai publikon aktivitete të futbollit dhe paralelisht çdo dalje të Lulzim Bashës nëpër emisione televizive, diku ka publikuar edhe një foto të ish-kryeministrit Berisha, ndërsa nuk kanë munguar edhe foto nga protestat e para do kohëve pas vrasjes së Klodian Rashës.

Deri këtu, asgjë e pazakonte, për dikë që ka ambicie të angazhohet tek një force politike.

Por ajo që ka kërcitur jo pak është një postim i fundit i tij i cili bën fakt të kryer (nëse PD-ja vjen në pushtet) ndarjen e ministrisë se Arsimit nga ajo e Sportit dhe për më tepër përcjell edhe angazhimet e tij drejtuese në krye të kësaj “ministrie”.

Në një kohë kur PD-ja zien për listën e kandidatëve për deputet, Lila si riosh në politikë (ku fut e vend e pa vend nëpër foto ‘shokun e tij të ngushtë’ Gazment Bardhi) sa duket nuk i di ende do faza të rëndësishme për një parti politike para së të shkohet tek krijimi i një ministrie të re.

Së pari; është Basha që duhet të flasë për objektivat konkrete të “politikës së re” përshi edhe sportin; se duhet të jetë po Basha (kandidati për kryeministër) që duhet të flasë i pari për planet e tij se çfarë synon të konfigurojë në kabinetin e ri qeveritar, për të kaluar pastaj tek faza e fundit po e Bashës për të shpallur ekipin e tij qeverisës qoftë edhe para zgjedhjeve.

Andi Lila jo vetëm që i ka kapërcyer këto hallka bazike, por ka shpallur (në një farë mënyre) edhe platformën, në një kohe kur shumë te tjerë në PD nuk e dinë ende nëse do të jenë deputet, e jo më ministra të ardhshëm.

“Objektivi i politikës së re për sportin: Krijimi i Ministrisë së Sportit.  Ministria e Sportit duhet sepse:

1. Duhet të përpunojë direktivat e BE-së për përmirësimin e sportit.

2. Duhet të koordinojë punën me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptarë (KOKSH) dhe Federatat sportive  për përmirësimin e cilësisë sportive në Shqipëri.

3. Do të jetë struktura e cila do të përcjelle vazhdimisht në mbledhjet e qeverisë të gjithë problemet që ka sporti. Në këtë mënyrë çdo nisëm ligjore e qeverisë do të marrë në konsideratë edhe interesat e sportit.

4. Do të ndihmoj në përmirësimin e akteve ligjore të federatave sportive.

5. Do të kontribuoj në forcimin e luftës anti-doping me ngritjen e laboratorëve të specializuar.

6. Do të ndërtoj politika të qarta për të favorizuar sportistët elitar më qëllim që të mos largohen nga Shqipëria dhe të përfaqësojnë vende të tjera.

7. Do të mbikqyrë rreptësisht ngritjen e KAS-it Shqiptar nga KOKSH me qëllim ky organizëm gjyqësor që t’i shërbej dhënies së DREJTËSISË”, shkruan Andi Lila. / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë