Menaxhim

SHELL tërhiqet nga Shpiragu? Ekspertët shpjegojnë pse… Qeveria e mohon

Nga Gazeta 'SI' - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ka përgënjeshtruar lajmin se kërkimet e SHELL në Shpirag kanë dështuar.

Në një reagim për mediat MIE e cilëson lajmin si një dezinformim dhe mungesë informacionesh, duke theksuar se kërkimi për naftë në Shpirag vazhdon dhe se prezenca e lëndës është konfirmuar. Ministria thotë se po kërkohet për zgjidhjen e duhur teknologjike për vënien në shfrytëzim të një pasurie nëntokësore tanimë të zbuluar.

“Koha e finalizimi i procesit të nxjerrjes së kësaj sasie nafte për treg, kushtëzohet nga gjeologjia shumë specifike e nëntokës së Shpiragut dhe adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, prandaj edhe kompania SHELL, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme. Tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë barrelash rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

MIE tregon se dhe nga testet e cilësisë së naftës ka pasur rezultat pozitiv, me një cilësi në thuajse të njëjtët parametra me naftën e vendeve avangardë në tregun e arit të zi.

“Është për të ardhur keq që me një ngut cinik disa burime dizinformimi kanë rendur të njoftojnë dështimin e kërkimeve në një prej vendburimeve më të rëndësishme të vendit tonë, duke u përpjekur të bëjnë politikë partiake edhe me këtë proces tërësisht teknik dhe qartësisht me interes kombëtar. E sigurojmë opinionin publik, se Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijojnë pa asnjë mëdyshje punën, në ndërveprim me kompanitë partnere për të bërë të finalizuar procesin e shfrytëzimit të naftës së zbuluar në zonën e Shpiragut, në pritje të lajmeve të tjera të mira në zona të tjera naftëmbajtëse në vend, ku ka të dhëna shumë inkurajuese”, mbyll njoftimin ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Dështimi i kërkimeve në Shpirag qarkulloi pak ditë më parë në shtypin vendas, referuar dokumentit të bilancit të kompanisë SHELL. Në bilancin e tremujorit 2024, SHELL thekson se "do të fshijë nga regjistrat e saj mbi 600 milionë dollarë shpenzime kërkimi, kryesisht në Shqipëri".

Ekonomistja Irena Beqiraj ka përkthyer bilancin e kompanisë së hidrokarbureve, duke konfirmuar tërheqjen nga Shpiragu pasi nuk pret përfitime te ardhshme, pra nuk pret të nxjerrë naftën e parshikuar aty.

"Kur një aset fshihet nga lista aseteve të kompanisë do të thotë që kompania pasi ka kryer testet përkatëse vleresuese redukton vlerën e tij në zero, duke konfirmuar që nuk pret asnjë përfitim të ardhshëm edhe qe ky aset nuk ka asnjë vlerë të ardhshme për kompaninë. Thënë ndryshe aseti që fshihet nga bilanci i kompanisë ka humbur një herë e mirë të gjithë dobinë ose vlerën për kompaninë", sqaron Beqiraj.

Lajmi u përcoll sot edhe nga opozita, ku në një konferencë për shtyp anëtari i kryesisë Eno Bozdo, tha se qeveria duhet të kërkojë falje për gënjeshtrën që i tha shqiptarëve. Bozdo tha se kryeministri Edi Rama e risjell lajmin e naftës në Shpirag sa herë ka një krizë në qeverisje.

"A e mbani mend Edi Ramën që, sa herë kishte një krizë në qeverisje thoshte se kompania Shell ka zbuluar naftë në Shpirag? A e mbani mend kur bridhte si Enver Hoxha duke hedhur kapelen andej këtej nëpër Shqipëri dhe duke thënë ‘këtu ka naftë’?

Edi Rama gënjen njëlloj, si për përfshirjen e vartësve të vet në korrupsion, si për zbulimin e naftës, si për anëtarësimin në BE duke përdorur inteligjencën artificiale.

Kompania Shell konfirmoi tërheqjen përfundimtare nga puset e Shpiragut. Fatkeqësisht nuk do të ketë shpime të mëtejshme dhe as një ‘mrekulli nafte’, siç gënjen Rama", u shpreh ndër të tjera Bozdo në konferencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë