Politike

Shehaj rikthehet në Kuvend me akuza ndaj Ramës

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, u rikthye në foltoren e Kuvendit pas një muaji mungesë, pas vendimit të Byrosë së Kuvendit ndaj tij, duke e cilësuar si “skandal” ndalimin e hyrjes së tij në seancën e kaluar.

Në fjalën e tij, Shehaj akuzoi mazhorancën se po e trajton Kuvendin si pronë të saj dhe se Rregullorja po zbatohet në mënyrë arbitrare.

“Ajo që ndodhi herën e kaluar ishte një skandal i vërtetë. Në mënyrë arbitrare ndalohet hyrja e një deputeti të opozitës në sallë. E dija që nuk do të mund të hyja në Kuvendin e korrupsionit dhe të atyre që prej 35 vitesh ua kanë nxirë jetën qytetarëve, por doja që të gjithë ta shihnin se si silleni ju dhe çfarë bëni me Rregulloren. E trajtoni Kuvendin sikur të ishte pronë e juaja”, tha ai.

Shehaj u ndal edhe te mbledhja e zgjeruar e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si një zhvillim “patetik” dhe duke sulmuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.

“Nuk më lejuat të hyja në sallë sepse këtu do të vinte Rama. Ai nuk mund të përfundonte në radhën e fundit si një njeri i lodhur, ndërkohë që qytetarët prej dy muajsh kanë dalë në protestë duke kërkuar dorëheqjen e tij. U plak brenda ditës”, deklaroi Shehaj.

Sipas tij, kryeministri shmang përballjen me opozitën dhe zgjedh t’u drejtohet vetëm deputetëve të mazhorancës.

“Rama nuk përballet me opozitën, por mbledh partinë dhe praktikisht u flet vetëm juve. Ky është skandali”, u shpreh ai.

Duke iu referuar atmosferës në mbledhjen e socialistëve, Shehaj tha se deputetët e PS-së qëndronin “me kokën ulur”, ndërsa akuzoi kryeministrin për tallje me një qytetare me aftësi ndryshe.

“Ishit të gjithë me kokën poshtë. Në mënyrë të pafytyrë u tall me një zonjë të pamundur. Taulant Balla zgërdhihej, ndërsa Rama e imitonte atë me paturpësi. Pse të mos protestojë ajo?”, deklaroi Shehaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë