Ne rrjet

Shefja e ONM: Nuk ka bisedime me Shqipërinë pa përfundimin e Reformës në Drejtësi

Duke folur nga Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, në Poznan të Polonisë, Genoveva Ruiz Calavera, Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) i ka dërguar një mesazh të fuqishëm Shqipërisë, duke deklaruar se asnjë nga vendet e rajonit nuk do hyjnë në BE derisa të kenë përfunduar reformat e sistemit të gjyqësorit.

E ftuar në një forum në Poznan, Calavera, iu referua edhe njëherë vendit tonë duke mbrojtur reformën në drejtësi në vend, që sipas saj do t’ i sigurojë Shqipërisë që të rikuperojë kohën e humbur në formësimin e një shteti demokratik.

“Të keni një shtet ligjor funksional, të keni një sistem gjyqësor të pavarur. Nuk është më një çështje e negociueshme. Ne duhet të nxëmë nga mësimet tona. Prandaj jam shumë e lumtur që për shkak të popullit shqiptar dhe jo për shkak të politikanëve, për shkak të qytetarëve, ky ndryshim dramatik ka nisur në Shqipëri. Sepse kjo do të thotë që me këtë proces, që unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur, ne do të kemi një gjyqësor të pavarur, Shqipëria do të arrijë në një pozicion fantastik, për të kapur kohën e humbur deri tani. Kur ne negociojmë anëtarësimin, kërkojmë një historik treguesish. Kjo do të thotë që ne duam të shohim që ligjet të zbatohen, duam të shohim njerëzit në burg, asetet e krimit të sekuestrohen dhe të kemi mjaftueshëm fakte/prova, jo vetëm ligje, për të demonstruar që sistemi është i konsoliduar” , deklaroi ajo.
Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian është e bindur se asnjë nga vendet e rajonit nuk do të jetë pjesë e familjes europiane derisa të jetë gati dhe mbi të gjitha derisa të kenë një gjyqësor të pavarur.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke lëvizur në drejtimin e duhur, por shumë ngadalë, dhe qytetarët janë të lodhur për shkak se ata nuk e shohin perspektivën e përparimit të shpejtë drejt BE-së”, tha zyrtarja europiane të enjten, në hapjen e samit.

Genoveva Ruiz Calavera, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM)



Ndërkohë, në një opinion të botuar në faqen zyrtare të delegacionit të BE, Cavalera do të deklarote disa muaj më parë se BE-ja dhe SHBA-ja janë plotësisht të përkushtuara që të vazhdojë ta mbështesin reformën e gjyqësorit në Shqipëri, për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike.

"Vetingu i gjyqësorit është një hap thelbësor në këtë drejtim. Ka kaluar pak më shumë se një vit që kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti seancën e parë dëgjimore në kuadër të procesit të vettingut. Që atëherë, institucioni i vettingut i shkallës së parë ka miratuar më shumë se 140 vendime. Ato janë pasuar nga rreth 20 vendime të formës së prerë në nivelin e Dhomës së Apelit”, theksonte shefja e OMN-aë. “Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë, teksa Shqipëria do të kalojë nga faza e tranzicionit të reformës gjyqësore në zbatimin e saj të plotë. Organet e vetingut do të sigurojnë trajtimin e vazhdueshëm të rasteve prioritare në mënyrë që institucionet e reja të mund të krijohen plotësisht. BE-ja, së bashku me SHBA-në në ONM, do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces në mënyrë që populli shqiptar të përfitojë nga reforma dhe të krenohet me ndryshimin që kërkoi dhe që e ka dëshiruar për një kohë kaq të gjatë”, përfundonte ajo.

https://twitter.com/eu_near/status/1146727261741158401?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1146727261741158401&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.evropaelire.org%2Fa%2F30036971.html



Ndërkohë, ministri i jashtëm polak, Jacek Czputowicz, ka bërë thirrje sot gjatë samitit në Poloni për "bashkëpunim më të fuqishëm midis Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se kjo do të ndihmojë në rritjen e "stabilitetit dhe zhvillimit" të rajonit.
"Europa nuk mund të konsiderohet e plotë pa Ballkanin Perëndimor, si në aspektin gjeografik ashtu edhe në atë gjeopolitik, dhe një politikë ambicioze e zgjerimit të BE-së është vendimtare", tha Czputowicz.

Mbledhjes së ministrave të Jashtëm, të Brendshëm dhe të Ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor do tu bashkohen, më 5 korrik, krerët e BE-së, duke përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministren britanike në largim, Theresa May, kryeministrin francez, Edouard Philippe dhe presidentin polak, Andrzej Duda.

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Szymon Szynkoëski tha para fillimit të konferencës, se shpresonte që pjesëmarrësit të bien dakord, që në tetor të fillojnë negociatat për anëtarësimin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por Presidenti i Francës, Emmanuel Macron është shprehur publikisht se nuk është në favor të zgjerimit të Bashkimit Evropian deri në rikthimin e kredibilitetit të unionit.

Me “Jo-në” e tij, agjencia e lajmeve Reuters shkruan se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të ishin viktimat e para të zhgënjimit të Macron, pasi dy vendet presin që të hapen bisedimet për anëtarësim prej më shumë se një viti.

Samiti i gjashtë i Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit në Poznan.


Agjencia shkruan se Shqipëria, e perceptuar si një nga vendet më të korruptuara të Europës që nuk ka arritur të luftojë pastrimin e parave, përballet me rezistencë më të fortë nga shtetet e Europës veriore.

Macron tha se prestigji i Evropës ishte në rrezik nëse blloku vazhdimisht prirej nga grupet e pakicave, me vendime të ashpra mbi çështjet që shkojnë nga ndryshimet klimatike tek migrimi.
“Unë jam më shumë skeptik ndaj atyre që thonë se e ardhmja e Evropës qëndron tek zgjerimi i mëtejshëm, kur ne nuk mund të gjejmë marrëveshje mes 28 shteteve,” tha Macron ndërsa po qëndronte të hënën në Bruksel me negociata të pafrytshme gjatë gjithë natës. “Jam këmbëngulës në faktin se do të refuzoj të gjitha format e zgjerimit para reformës së thellë në mënyrën se si funksionojmë institucionalisht”, shtoi ai.

Në artikullin e “Reuters”, thuhet se kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur publikisht mbështetjen për Maqedoninë e Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, por nuk ka raporte mbi Shqipërinë.

Ministri i saj i shtetit për Evropën, Michael Roth, i tha Reuters se politika e jashtme dhe e sigurisë e BE do të gjykohej për ruajtjen e paqes, demokracisë dhe stabilitetit në të gjithë Evropën në tërësi.

“Ne nuk mund të heqim dorë nga zgjerimi, kjo nuk do të ishte në interesin e Gjermanisë, as në interesin evropian”, tha Roth.ë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë