Treg

Shefi i Agjencisë së Energjisë paralajmëron Europën për tjetër krizë, nëse Rusia ndërpret gazin

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, IEA, ka paralajmëruar se Europa duhet të përgatitet për një shkëputje totale nga gazi rus gjatë periudhës së dimrit, duke nxitur qeveritë që të marrin masa në uljen e kërkesës dhe të mbajnë hapur termocentralet nukleare.

Fatih Birol, kreu i IEA, tha se vendimi i Rusisë për të reduktuar furnizimet me gaz në vendet europiane, mund të jetë sinjal për kufizime të mëtejshme, pasi Moska kërkon të ketë kontroll gjatë luftës me Ukrainën.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol

“Europa duhet të jetë gati në rast se gazi rus ndalohet plotësisht”, tha Birol.

“Sa më shumë t’i afrohemi dimrit, aq më shumë i kuptojmë qëllimet e Rusisë. Uë besoj se këto ndërprerje synojnë reduktimin e rezervave të Europës dhe rritjen e kontrollit rus gjatë muajve të dimrit”.

Agjencia, e cila fillimisht është themeluar nga OECD, vjet ishte ndër të parat autoritete që akuzonte Rusinë për manipulim publik mbi dërgesat e gazit në Europë, ndërkohë që po ndërtonte planin e  pushtimit.

Birol tha se masat e emergjencës që kanë marrë vendet europiane për të ulur kërkesat për gaz, siç është vendimi i rindezjes së terminaleve me qymyr, justifikohen me shkallën e krizës së ndikuar nga lufta, edhe pse rrisin emetimet e karbonit.

Ai tha se rritja e prodhimit me qymyr ishte "e përkohshme" dhe do të ndihmonte në ruajtjen e furnizimeve me gaz për ngrohje në dimër. Çdo emetim shtesë i CO₂ nga djegia e qymyrit ndotës do të kompensohej nga një përshpejtim në planet e Europës për të reduktuar varësinë e saj nga karburantet fosile të importuara, shtoi ai.

Por Birol paralajmëroi se hapat e ndërmarrë nga qeveritë europiane deri më tani ndoshta nuk kanë shkuar aq larg sa për të përballuar një ndërpreje të plotë të eksporteve ruse. Sipas tij, vendet duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ruajtur furnizimet tani për të siguruar që magazinat të mbushen përpara muajve të dimrit.

“Unë besoj se do të ketë masa më të mëdha për të përballuar kërkesë nga qeveritë në Europë, me afrimin e dimrit”, tha Birol, duke shtuar se racionimi i furnizimeve me gaz mbetet një mundësi reale nëse Rusia redukton më tej eksportet.

Suedia dhe Danimarka ndoqën të martën Gjermaninë, Austrinë dhe Holandën në shpalljen e fazës së parë të planeve emergjente për të ruajtur furnizimet me gaz, por asnjë nga këto plane kombëtare nuk përfshin ende kursimin.

Europa e ka reduktuar varësinë e saj nga gazi rus në rreth 20%  të furnizimeve totale që nga pushtimi i Ukrainës, nga rreth 40%, por tashmë ka shfrytëzuar shumicën e opsioneve për të diversifikuar furnizimet, të tilla si prodhimi i gazit në det, offshore.

Shefi i IEA-s tha se vendet duhet të pezullojnë edhe largimin nga përdorimi i centraleve bërthamore që të ndihmojnë sado pak në gazin që shpenzohet për të prodhuar energji elektrike.

Gjermania është përballur me kritika të vazhdueshme për vendimin e saj për të vazhduar çmontimin e centraleve bërthamore gjatë krizës energjetike.

Berlini ka treguar se beson se pengesat teknike dhe të sigurisë janë shumë të larta për të mbajtur të hapura këto termocentrale.

Birol po fliste përpara publikimit të një raporti të ri nga IEA, i cili paralajmëron se qeveritë nuk po bëjnë ende sa duhet për të inkurajuar investimet në energjinë e rinovueshme për të frenuar kërkesën për karburante të djegshme.

Investimet totale të energjisë pritet të rriten këtë vit me 8% në 2.4 trilion dollarë, fokusuar më shumë tek burimet e rinovueshme.

Vitin e shkuar, Agjencia i tha shteteve të mos investojnë më në fusha nafte e gazi, nëse synonin politikën e “zero emetime” në vitin 2050.

Birol tha se nëse nuk politika konkretë për të hequr dorë nga konsumi i fosileve, bota do ta ketë të vështirë të përballojë luhatjet e ccmimeve në naftë dhe gaz. “Vetëm nëse qeveritë marrin timoin dhe krijojnë fonde gjigande për të nisur një tranzicion drej energjisë së pastër, ne do të përballemi me një treg energjie tepër të luhatshëm”. 

Ndërsa kishte disa shenja pozitive të rritjes së investimeve për energji më të pastër, pjesërisht që rrjedhin nga dëshira e Europës për të shkëputur varësinë e saj ndaj energjisë ruse, ai tha se peizazhi nuk është ende i qartë globalisht.

Në botën në zhvillim, duke përjashtuar Kinën, investimet në energjinë e rinovueshme nuk janë rritur në terma realë që nga viti 2015. Birol tha gjithashtu se vendet në zhvillim që varen nga prodhimi i karburanteve fosile duhet të përdorin të ardhurat e tyre nga çmimet më të larta për të diversifikuar ekonomitë.

“Investimet e pakëta për energji të pastër në pjesën më të madhe të botës në zhvillim është një nga tendencat më shqetësuese”, thuhet në raportin e IEA. /Financial Times. Përshatti: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë