Ne rrjet

SHBA vendos kufizime mbi investimet amerikane në industrinë e teknologjisë në Kinë

Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv të mërkurën për të vendosur kufizime mbi investimet amerikane në disa industri të teknologjisë së lartë në Kinë.

Urdhri ekzekutiv i Presidentit Biden mund të rrisë sërish tensionet midis Shteteve të Bashkuara, ekonomisë më të madhe në botë, dhe Kinës, ekonomisë së dytë më të madhe në botë, pas një periudhe në të cilën udhëheqësit e të dyja vendeve zhvilluan diskutime mbi dalllimet mes tyre dhe përpjekjet për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Rregullat e reja do të kufizojnë investimet e Shteteve të Bashkuara në sektorë të teknologjisë së lartë në Kinë si kompjuterët kuantikë, mikroprocesorët e avancuar dhe inteligjencën artificiale, por me sa duket jo në ekonominë më të gjerë kineze, e cila së fundmi është ndeshur me vështirësi në përpjekjet për të avancuar.

Për disa investime në këta sektorë do të duhet njoftimi i qeverisë, të tjerat do të ndalohen, por detajet e urdhërit ekzekutiv nuk janë ende plotësisht të qarta.

Në një deklaratë të mërkurën, një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington tha për agjencinë e lajmeve Reuters se Kina është "shumë e zhgënjyer" nga masa e Shteteve të Bashkuara dhe se kufizimet do të "minojnë seriozisht interesat e kompanive dhe investitorëve kinezë dhe amerikanë".

“Kina do të ndjekë nga afër situatën dhe do të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat tona”, tha Liu Pengyu.

“Këto janë masa të posaçme”, tha në prill Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan. “Ato nuk janë, siç thotë Pekini, një bllokadë teknologjike”.

Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo, tha në mars se administrata "nuk donte që masa të kishte përfshirje tepër të gjerë... Çdo gjë që është tepër e gjerë i dëmton amerikanët dhe ekonominë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë