Ne rrjet

“SHBA rrëzoi ndarjen e Kosovës! Pakti me Serbinë po ndërtohet tani”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë hequr tanimë dorë nga skenari i ndryshimit të kufijve të Kosovës, duke ia lënë në dorë marrëveshjen e ardhshme Beograd-Prishtinë kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Sipas një prej analistëve më të njohur serbë, Dusan Janjiç, shkëmbimi i territoreve është hedhur tanimë poshtë nga Administrata Trump.

Gazetari, i cili është pjesë e disa paneleve ndërkombëtare dhe diskutimeve për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se njerëzit e Trump kanë dalë aktualisht kundër këtij skenari.

Duke iu referuar qëndrimit të John Bolton, Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të presidentit Donald Trump, Janiç thotë se Bolton dhe këshilltarët e kanë të vështirë të bien në një mendje për shkëmbimin e territoreve.

“Cili është plani i ri i Trump dhe Boltonin këtë nuk e di askush. Me sa e di unë, në konsultimet e fundit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ideja e ndryshimit të kufijve është hedhur poshtë, së paku tani për tani, pasi zyrtarët amerikanë nuk po bien dakord rreth këtij procesi”, ka theksuar ai duke folur në një emision televiziv në Serbi.

Sipas analistit, i cili është edhe drejtues i Forumit për Marrëdhëniet Ndëretnike, Trump do të kundërpërgjigjet ashpër nëse Serbia dhe Kosova nuk arrijnë një marrëveshje deri në shkurt.

“Pra, këtu bëhet fjalë për nevojat e Trumpit, që ai ta ketë situatën të qartë për Ballkanin kur të dalë para demokratëve në zgjedhjet e 2020-ës. Trumpit nuk i intereson se çfarë kanë nënshkruar Thaçi e Vuçiç. Dhe nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në shkurt, ai do të ketë ndonjë përgjigje të fortë, siç ka bërë me Meksikën, brenda natës do të ketë sanksione edhe ndaj njërës edhe ndaj palës tjetër (Prishtinës dhe Beogradit)” ka theksuar ai.

Dusan Janjiç

Por a ka marrë fund ideja ndryshimit të kufijve falë kundërshtimit të Francës dhe Gjermanisë?

Sipas analistit serb Berlini dhe Parisi po “përgatitin terrenin” që në korrik dialogu të rifillojë në një format tërësisht të ri.

Janjiç thotë se tanimë fokusi i Emmanuel Macron dhe Angela Merkel është takimi në kryeqytetin francez për vazhdimin e bisedimeve, një nismë që cilësohet nga ekspertët po aq e vështirë sa të “ta ngjallësh të vdekurin”.

Analisti thotë se në Samitin e Parisit se do të diskutohet për formatin e ri të bisedimeve , ku do të jenë të pranishëm edhe vëzhgues të ndryshëm ndërkombëtarë por do të flitet edhe për rolin Rusisë në dialog. Sipas tij, ende nuk është e qartë se a do të ftohen atje edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor apo do të shkojnë vetëm shqiptarët dhe serbët. Sipas Janjiç, tanimë është duke u ndërtuar një marrëveshje e re Kosovë-Serbi.
“Në thelb marrëveshja po ndërtohet tani, ka ekipe që janë duke e bërë këtë, ka zyrtarë, OJQ dhe ministri. Në Gjermani ka një ekip në Bundestag që po harton marrëveshjen e ardhshme, sëbashku me një tjetër ekip në kabinetin e kancelares Merkel, por fjalën e tyre duhet ta thonë edhe Thaçi dhe Vuçiç”, thotë analisti serb.

Janjiq ka folur edhe rreth takimit Haradinaj-Merkel më 6 qershor duke thënë se Kryeministri i Kosovës do të përballet në Berlin me kërkesën për heqjen e taksës.

“Sa i përket takimit Haradinaj Merkel, pritet të jetë i vështirë. Me siguri do t’i kërkohet heqja e takës para samitit të Parisit ose në Paris do t’i bëhet e ditur se nëse nuk hiqet taksa ose më nuk do të ketë bisedime partneriteti” ka theksuar ai.

Sipas ekspertëve, nëse Kosova pranon të heqë taksën ndaj importeve serbe dhe boshnjake, kancearja Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron janë të gatshëm të përfshihen personalisht në dialogun Kosovë-Serbi.

Kancelarja Merkel takon kryeministrin Haradinaj në Berlin

Burime për mediat serbe thonë se gjatë samitit të Berlinit, Merkel dhe Macron i bënë presion presidentit serb Aleksandër Vuçiç të tërhiqej nga ideja për shkëmbimin e Veriut të Kosovës dhe degacionit të Prishtinës për të hequr taksën.

Dy udhëheqësit mësohet se i kanë kërkuar presidentit serb që të heq dorë përfundimisht jo vetëm nga ideja për shkëmbim territoresh por edhe të tërhiqet nga ndikimi mbi serbët në veri të Kosovës, me qëllim që të mundësojë integrimin e tyre në Kosovë.

Burimet bëjnë të ditur po ashtu se Merkel e Macron i kanë thënë Vuçiçit se nuk do të ketë rrugë europiane për Serbinë nëse “normalizimi me Kosovën nuk ndodh së shpejti dhe nëse Beogradi nuk heq dorë nga të gjithë mekanizmat e tij në Veriun e Kosovës.

Merkel dhe Macron i kanë kërkuar presidentit serb që të kthehet në tavolinën e bisedimeve dhe të gjejë zgiidhjen për të gjitha çështjet e hapura me Kosovën, përfshirë edhe tregtinë e ekonominë por duke përjashtuar përpjekjet për ndryshim kufijsh”, shkruan gazeta serbe “B92”.

Takim i radhës mes Thaçit, Vuçiçit, Merkelit dhe Macronit pritet të zhvillohet më 1 dhe 2 korrik në Paris në përpjekje për të zhbllokuar dialogun mes dy palëve. Por nuk përjashtohet mundësia që dy presidentët të mbajnë bisedime edhe në Tiranë, gjatë samitit të presidentëve të Ballkanit Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë