Ne rrjet

SHBA presion Turqisë: F-35 për S-400 ruse

Turqia refuzon thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të gjetur një rrugë për të mos përfshirë sistemin anti-ajror rus, S-400 tek arsenali i armëve të ushtrisë së saj. Ankaraja i qëndron deklaratës së Presidentit Recep Taip Erdogan disa javë më parë, kur nënkuptoi se “sistemi është blerë për t’u përdorur, jo për muze”.

Erdogan e vlerëson si të padrejtë dhe të pandershme kërkesën e SHBA, të Bashkimit Europian dhe të vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Ai u shpreh i gatshëm që të blejë sistemin amerikan “Patriot”, nëse plotësohet kushti i leverdisshmërisë financiare, ndërsa kërkesën për të larguar sistemin rus e cilësoi “ndërhyrje në punët e brendshme të Turqisë”.

Sistemi antiajror rus, S-400

Përballë këtij qëndrimi këmbëngulës të Turqisë është vendosur këmbëngulja e Uashingtonit, që thotë se përsa kohë Ankaraja nuk heq dorë nga S-400 ajo do të qëndrojë jashtë programit të SHBA për avionët F-35, të pakapshëm nga radarët.

“Ka ende hapësira që Turqia të rikthehet në këtë program. Ata e dinë fare mirë se çfarë duhet të bëjnë, ose ta shkatërrojnë, ose ta rikthejnë andej nga e morën, ose të gjejnë një mënyrë tjetër për të hequr qafe sistemin S-400”, deklaroi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë për gazetarët, duke konfirmuar zërat se Turqia mund të përballet me sanksione në rast të kundërt.

Avioni amerikan, F-35

Turqia nënshkroi në 2017 një marrëveshje me Rusinë për t’u furnizuar me sistemin e mbrojtjes ajrore S-400. Marrëveshja çoi në pezullimin e porosisë nga ana e SHBA për avionët F-35 që Ankaraja kishte prenotuar si anëtare e NATO-s.

Uashingtoni refuzon të furnizojë Turqinë me këta avionë duke cituar detaje teknike. Njëri ndër ta, thotë SHBA, është mungesa e përputhshmërisë së sistemit S-400 me armatimin e NATO-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë