Bota

SHBA pezullon sulmet ndaj Iranit, Trump shqyrton rrugën diplomatike

Nga Gazeta ‘Si’– Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar sulmet ndaj Iranit për të tretën natë radhazi, pasi drejtues të lartë ushtarakë i kanë rekomanduar presidentit Donald Trump të ndalojë përkohësisht fushatën e bombardimeve, ndërsa përpjekjet diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit vazhdojnë.

Lajmi ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet e naftës ranë gjatë së hënës pas sinjaleve për një ulje të tensioneve.

Sipas mediave amerikane, Trump po shqyrton si opsionet diplomatike ashtu edhe ato ushtarake në konfliktin që zgjat prej afro pesë muajsh. Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të zhvillojë një vizitë në Shtëpinë e Bardhë të martën. Ai ka kundërshtuar negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe ka kërkuar vazhdimin e sulmeve amerikane ndaj Iranit.

Nga ana tjetër, Teherani njoftoi se ka pezulluar sulmet që i cilësonte si “hakmarrëse” kundër aleatëve të SHBA-së në rajon.

“Amerikanët i ndërprenë sulmet dy net më parë dhe edhe ne kemi ndalur operacionet tona hakmarrëse”, deklaroi zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Mohammad Akraminia.

Sipas raportimeve të Axios, admirali Bradley Cooper, komandanti më i lartë amerikan në rajon, i ka bërë të ditur Trumpit se operacioni ushtarak kishte arritur kufijtë e efektivitetit. Ai thuhet se paralajmëroi se shumica e objektivave të planifikuara në Iran tashmë ishin goditur dhe se vazhdimi i bombardimeve nuk do të sillte përfitime të mëdha ushtarake.

Po ashtu, zyrtarë të administratës amerikane kanë ngritur shqetësimin për pakësimin e rezervave të municioneve, përfshirë raketat mbrojtëse Patriot dhe raketat lundruese Tomahawk, të cilat mund të kufizojnë aftësinë e SHBA-së për të mbështetur një fushatë të zgjatur ushtarake.

Megjithatë, administrata amerikane nuk ka përjashtuar mundësinë e sulmeve të reja. Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, deklaroi se presidenti “i mban të gjitha opsionet mbi tryezë”.

Ndërkohë, diplomatët iranianë dhe ata të Omanit po zhvillojnë bisedime për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një korridor strategjik ku kalon rreth 20% e tregtisë botërore të naftës dhe gazit. Zyrtarët iranianë konfirmuan gjithashtu kontakte me negociatorët amerikanë për të shmangur rikthimin e konfliktit në një luftë të hapur.

Në prag të vizitës në Uashington, Netanyahu do të mbledhë kabinetin e sigurisë së Izraelit. Kryeministri izraelit ka kërkuar që çdo marrëveshje me Iranin të përfshijë kufizime të forta për programin bërthamor dhe raketor të Teheranit, ndërsa SHBA-ja duket se po i jep përparësi uljes së tensioneve dhe garantimit të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë