Ne rrjet

SHBA nuk u jep viza politikanëve kosovarë pa hequr taksën me Serbinë

Sikur të mos mjaftonte rreziku për rrëzimin e qeverisë, politikanët e Kosovës duket se janë futur momentalisht në “listën e zezë” të SHBA-së, për shkak të taksës ndaj produkteve serbe.

Ajo që ishte këto ditë frika më e madhe e zyrtarë në Kosovë është konfirmuar të shtunën nga Shpend Ahmeti. Duke folur për mediat në Prishtinë, kreu i social-demokratëve rrëfeu se në takimet e njëpasnjëshme që ka zhvilluar me Ambasadorin Amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, zyrtarëve të institucioneve të Kosovës u është rekomanduar që të mos bëjnë kërkesa për viza amerikane derisa tarifa ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina të jetë në fuqi.

"Nuk mund të them që është një vendim formal, por më kanë thënë në mënyrë të qartë të mos kërkojmë të shkojmë në Amerikë, sepse pa u pezulluar kjo taksë, nuk mund të hymë", ka deklaruar Ahmeti në një intervistë televizive. "Për mua kjo është një kërkesë e hapur nga Amerika dhe Brukseli që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve pa kushte", shtoi ai.

Shpend Ahmeti

Këto raporte vijnë pak pasi Ambasada Amerikane në Kosovë kërkoi pezullimin e tarifës deri më katër shkurt, duke paralajmëruar se Prishtina zyrtare mund të përballej me pasoja serioze. Kosnett ka bërë të ditur përmes një komunikate se refuzimi për të pezulluar këtë vendim është kundër interesave të SHBA-së. Ai e ka konsideruar pezullimin e përkohshëm të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës si një mënyrën e vetme për ta çuar përpara procesin e dialogut .

Por edhe pse ambasadori nuk ka përmendur në daljet e tij publike asnjë sanksion ndaj Kosovës, zemërimi i Amerikës ndaj qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj është i dukshëm.

Para pak ditësh Haradinaj deklaroi se dëshironte të shkonte në Uashington që të merrte pjesë në Lutjet e mëngjesit, por u detyrua të tërhiqej duke thënë se tani për tani klima për të realizuar një vizitë në SHBA nuk ishte e favorshme dhe dërgoi në vendin e tij ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli.

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj

Aktualisht, Haradinaj është i vetmi që po këmbëngul për mbajtjen në fuqi të kësaj tarifës pavarësisht kërkesave të SHBA-së dhe Brukselit për anulimin e vendimit. Reagimi tij i fundit erdhi të premten, kur tha se të gjithë ata që deklarojnë se po dëmtohen marrëdhëniet me Amerikën, e kanë gabim. Sipas tij, popujt që janë rreshtuar me Amerikën kanë krijuar botën e lirë, dhe se Kosova është duke arritur atë që ka synuar: lirinë.

“Taksa nuk është vendosur kundër Amerikës, është vendosur kundër Rusisë. Rusia dhe Serbia janë duke punuar intensivisht që të gjitha shtetet që njohin Kosovën tërhiqen. Nuk ka kushte për dialog, dialogu duhet të vazhdojë pa kushte. Taksa do të mbesë deri në njohjen e Kosovës nga Beogradi ", ka deklaruar i vendosur Haradinaj, duke kërkuar po ashtu që njohja e Kosovës të mos nënkuptojë prekjen e sovranitetit territorial të saj.

"Ka ardhur koha që të mos jepet më tokë, asnjë pëllëmbë e këtij vendit. Pse të jepet tokë kur të gjithë rrethohemi me tokat tonë", tha Haradinaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj

Por këmbëngulja e tij për të mos u tërhequr nga ky vendim është duke lëkundur koalicionin qeverisës në Kosovë dhe rrezikon të rrëzojë qeverinë. Në përgjithësi, të gjithë aktorët politikë në Prishtinë, të paktën përmes deklaratave publike, shprehen se Kosova duhet t’i mbetet besnike miqësisë dhe partneritetit me SHBA-në dhe se duhet të zbatojë kërkesën e Uashingtonit për heqjen e tarifave.

Edhe vetë Haradinaj ka pranuar se qeveria, e cila ka një shumicë të ngushtë parlamentare, është në telashe. "Çdo gjë është e mundur në javët dhe ditët që do të vijnë. Nëse mosmarrëveshjet brenda koalicionit vazhdojnë, ato mund të rezultojnë në vendime drastike" paralajmëroi Haradinaj të enjten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë