Mendim

SHBA kundër gazsjellësit që mund të bashkohet me TAP!

Një gazsjellës misterioz që po ndërtohet mbi rezervat e gazit në Rusi, për të furnizuar me energji Turqinë, Europën Juglindore, ka tërhequr se fundmi vëmendjen e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka dalë kundër këtij projekti. Uashingtoni deklaroi të mërkurën se ishte kundër “TurkStream”, gazsjellësit që është përfolur se mund të bashkohet me TAP, duke sjellë gazin rus në Europë përmes Detit të Zi.

Projekti i ri është mirëpritur nga disa qeveri rajonale, duke përfshirë Bullgarinë, Hungarinë Serbinë, Greqinë dhe Maqedoninë, por rruga që do të ndjekë pjesa e dytë e gazsjellësit nuk është vendosur ende zyrtarisht.

Sekretari Amerikan i Energjisë, Rick Perry u bëri thirrje Hungarisë dhe vendeve të tjera rajonit që të refuzojnë tubacionet e gazit rus, me arsyetimin se përdoren për të çimentuar kontrollin e Moskës në Europën Qendrore dhe Lindore.

“Diversifikimi i energjisë do të ishte vendimtar për rajonin, pasi Rusiae ka përdorur energjinë si armë në të kaluarën, tha ai. "Rusia po përdor një projektin Nord Stream 2 dhe “TurkishStream” për të forcuar kontrollin e saj mbi sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Qendrore dhe Lindore", shtoi Perry gjatë një vizite në Budapest.

Korrikun e kaluar, Hungaria nënshkroi një marrëveshje me kompaninë që ka marrë përsipër këtë tubacion, gjigandin rus “Gazprom”, për të marrë gaz nga gazsjellësit turk. Pak muaj më pare, Presidenti rus vizitoi Budapestin, ku edhe diskutoi me Kryeministrin Orbán pjesëmarrjen e Hungarisë në “TurkStream” si dhe ndërtimin e centraleve bërthamore ruse në Hungari.

Kryeministri hungarez Viktor Orban bisedon me sekretarin amerikan të energjisë Rick Perry, gjatë takimit të tyre në ndërtesën e Parlamentit në Budapest, Hungari, 13 nëntor 2018. 

Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó tha se gazsjellësi turk, tubacionet e të cilit prekën tokën turke këtë verë, ishte një lajm i mirë për Hungarinë, pasi do të furnizonte me gaz jugun e vendit si dhe rajonin.

Por ndërkohë administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përpiqet të inkurajojë blerjen e gazit nga Shtetet e Bashkuara ose furnizuesit e tjerë, në vend të blerjes së tij nga Rusia. Trump madje e filloi samitin e NATO-s duke sulmuar gazsjellësin që do të lidhë brigjet ruse me ato gjermane, Nord Stream 2.

"Shtetet e Bashkuara i kundërshtojnë me forcë këto projekte. Ne i bëjmë thirrje Hungarisë dhe fqinjëve të saj që të na bashkohen duke i hedhur poshtë”, tha Perry, gjatë vizitës së tij në Budapest.

Hungaria në fakt varet nga Rusia për furnizimet e gazit natyror, i cili vjen më së shumti nëpërmjet një tubacioni që kalon nga Ukrainës. Rusia po ndërton gjithashtu një fabrikë bërthamore në Hungari. Ndërkohë, i pyetur nga “Euroactiv” se cila ishte pozicioni i Komisionit Europian mbi gazsjellësin ruso-turk, një zëdhënës tha të mërkurën se ekzekutivi i BE kishte nevojë të dinte më shumë për projektin.

“TurkStream” është marrë përsipër nga kompania “Gazprom” dhe do të përbëhet nga dy tubacione paralele që kalojnë përmes Detit të Zi. Ato u futën në det në bregun rus të Anapasit dhe dolën në bregdetin turk rreth 100 kilometra në perëndim të Stambollit, pranë fshatit Kiyikoy, në 30 prill të këtij vitit. Por nuk mbaron me kaq, sepse pjesa e dytë e tubacionit përfshin edhe Europën dhe Ballkanin.

“TurkStream”

Nga Kiyikoy, do të ndërtohet një tubacion nëntokësor i cili do të vazhdojë deri në kufirin turko-evropian, për të hyrë më pas në Ballkan. Sapo të dalin në bregun turk, tubacionet mund të lidhen me Greqinë dhe pastaj me gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP) dhe mund të kalojnë nga Turqia në Greqi dhe më pas në Itali.

Në fillim të korrikut, Kryeministri bullgar Bojko Borisov njoftoi se do të nënshkruante një marrëveshje për t’u bërë pjesë e gazsjellësit ruso-turk. Ai gjithashtu nënshkroi një marrëveshje me Serbinë fqinjë, sipas të së cilës marrëveshjes Beogradi do të marrë 10 miliardë metra kub të gazsjellësit turk.

Nga ana tjetër, në Kongresin Botëror të Naftës në Stamboll, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e bëri të qartë se Turqia synon të bëhet një qendër energjetike mes Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve për gaz natyror dhe energjisë bërthamore nga Rusia me Hungarinë, Republikën Çeke, Serbinë, Bullgarinë dhe Turqinë, duket se janë pritur me ankth nga Uashingtoni dhe Brukseli. Fakti që tani disa kombe të Ballkanit po përmirësojnë qartë marrëdhëniet e tyre ekonomike me Rusinë dhe me Turqinë nënvizon faktin se Perëndimi ka filluar të humbasë terren.

Për të shmangur ligjet ndëshkuese të BE-së, gazsjellësi ruso-turk kalon përmes Turqisë dhe përfundoi në kufirin turko-bullgar, ndërsa pjesa e dytë e tij mund të përfundojë në afërsi të kufirit me Greqinë, për tu bashkuar më pas në TAP-in.

“Linja e dytë e projektit të tubacionit natyror të TurkStream ka tre rrugë opsionale në Evropë, por më e suksesshmja është përmes TAP-it” deklaroi për mediat turke John Roberts, një anëtar i lartë i Qendrës Globale Këshillit Atlantik të Energjisë.

Duke qenë së ligjet e Brukselit e ndalojnë Gazpromin që të ndërtojë tubacionet e veta të gazit brenda BE-së, gazsjellësi ruso-turk planifikon ta transformojë Ballkanin në një tranzit të rëndësishëm për furnizimin me gaz në Europë por gjithashtu mund të rrisë varësinë e rajonit nga Rusia.

Kërkesa e tregut europian për gaz, përfshirë edhe Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë, në vitin 2020 dhe 2030 do të arrijë në 3 miliard metra kub. Dan Breban, një ekspert në Universitetin e Beogradit për Politikën dhe Sigurinë, u shpreh se qëllimi i këtij gazsjellësi është të arrijë në tregjet e mëdha të Gjermanisë dhe Italisë. BE-ja nga ana tjetër nuk ka gjasa që të bllokojë gazsjellësin, ndërkohë që 50% e kapacitetit të TAP-it është “vënë në tavolinë” për palët e treta.

Në këto kushte, rajoni duket të jetë duke u përgatitur për të dyja opsionet. Bullgaria ka investuar në qendër ndërlidhëse me Greqinë. Serbia ka rënë dakort për një tubacion me Bullgarisë për të fituar qasje në Varna dhe prej aty në Greqi. Maqedonisë ka nënshkruar së fundmi marrëveshje mbi gazin me Serbinë dhe Bullgarisë. Me sa duket e vetmja që është ende duke fjetur është qeveria shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë