Mendim

SHBA-Kosovës: Hiqni taksat ndaj Serbisë!

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama dhe Ramush Haradinaj i bënë thirrje Serbisë të ndryshonte qëndrimin e saj ndaj Kosovës, Hashim Thaçi vendosi të zhvillonte një vizitë të papritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe pse kishte heshtur për taksat e vendosura ndaj produkteve serbe, Thaçi i dërgoi një mesazh të fuqishëm nga Uashingtoni kundërshtarit të tij më të madh politik, kryeministrit Haradinaj.

Pas takimit të Thaçit me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeu, një zëdhënëse e Departamentit Amerikan të Shtetit u kërkoi autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina dhe të punojnë me Beogradin për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet. Në videon e publikuar në rrjetin social Twitter nga Departamenti i Shtetit, Thaçi dhe Pompeo shihen teksa i shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit pas një takimi që është mbajtur me dyer të mbyllura.

Pompeo i bëri thirrje Kosovës të përfitojë nga rrethanat e krijuara për të arritur një marrëveshje historike me Serbinë. 

https://www.facebook.com/usdos/videos/vb.15877306073/2160956424156553/?type=2&theater

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të mbështesin palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, thuhet në deklaratë.

Në kulmin e tensioneve mes dy vendeve, presidenti Thaçi deklaroi se tani më shumë se kurrë ka nevojë të gjendet një zgjidhjes me Serbinë. Ai tha se Kosova duhet “ta heqë qafe një herë e për gjithmonë çështjen e Serbisë dhe të fokusohet në zhvillimin ekonomik, në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe të mos humbim kohë me Beogradin".

“Mendoj se vetë krijimi i rrethanave të reja dhe në Kosovë dhe në Serbi dhe në rajon, por edhe në botë sepse bota ka ndryshuar, Evropa po ndryshon, rajoni ynë është në udhëkryq shtojnë domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”, tha ai pas takimit me zotin Pompeo. Sipas Thaçit marrëveshja me Serbinë "do të sjellë edhe më tepër paqe dhe stabilitet, edhe në Kosovë, edhe në Serbi, edhe në tërë rajonin, që do të hapë perspektivën europiane për të dyja vendet”. 


 Hashim Thaçi dhe Presidenti Donald Trump

“Konfirmimi dhe mbështetja e plotë dhe e fuqishme e Sekretarit të Departamentit amerikan (të Shtetit) zotit Pompeo për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, pra të dialogut dhe negociatave dhe inkurajimi që kjo marrëveshje të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur, është edhe një impuls tjetër edhe për mua si President i vendit, për institucionet e Republikës së Kosovës, të gjitha pa dallim, për fuqizimin e rolit tonë të brendshëm, arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik dhe përmbylljen e këtij procesi me një rrugë shumë transparente, efikase, të implementueshme edhe në Kosovë”, tha zoti Thaçi.

Edhe pse Haradinaj ka deklaruar se nuk do t’i heqë tarifat ndaj mallrave serbe, vizita e Thaçit në Uashington konfirmoni frikën e shumë analistëve se brenda Kosovës nuk ka konsensus për një vendim të tillë. Qeveria e Haradinaj vendosi më 21 nëntor, që të rrisë në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia, vetëm një ditë pasi që Kosova dështoi të sigurojë votat e mjaftueshme për anëtarësim në agjencinë ndërkombëtare të policisë, INTERPOL.

Beogradi, i cili eksporton ne Kosovë mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit, kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdim të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. Vendimi shtoi tensionet jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe shkaktoi zemërim e BE-së. Bashkimi Europian i kërkoi Kosovës të tërheqë vendimin duke e cilësuar atë si shkelje të CEFTA-s.

Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçicc

Ky takim vjen pak pasi Thaçi u takua me presidentin amerikan Donad Trump dhe atë rus Vladimir Putin në Paris, ku mori edhe “bekimin” e tyre për të çuar përpara negociatat për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

Pak pas takimit me Mike Pompeo zëdhënësja e Përfaqësues së Lartë të Bashkimit Europian, Federika Mogerini deklaroi se Thaçi dhe Vuçiç kanë rënë dakort për zbutjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

“Komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn, është në kontakt të vazhdueshëm me presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçic, të cilët janë pajtuar qetësimin e situatës dhe uljen e tensioneve”, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, Maja Koçijançiç.   

Ajo ka theksuar se Hahn ka ofruar ndihmën e tij për arritjen e zgjidhjeve të shpejta dhe praktike për çështjen e tregtisë.

E pyetur nëse BE-ja planifikon të ndërmarrë masa për vendosjen e taksave ndaj mallrave serbe, ajo ka thënë se MSA-ja ka mekanizma përmes së cilëve do të zgjidheshin çështjet e hapura mes BE-së dhe Kosovës.

“Mekanizmat përfshijnë kontaktet bilaterale dhe vendosjen e kësaj çështjeje në agjendën e përbashkët të Këshillit të Stabilizim Asociimit. Në rastin e Kosovës, takimi i radhës i Këshillit është planifikuar pas 15 dhjetorit”, ka thënë Kocijançiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë