Bota

SHBA heq sanksionet ndaj raportueses speciale të OKB, Francesca Albanese

Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr sanksionet që kishin vendosur kundër Francesca Albaneses, Raportueses Speciale të OKB-së për Palestinën, të cilat e pengonin atë të hynte në SHBA dhe të kryente transaksione bankare në vend.

Heqja u njoftua më 20 maj në një deklaratë në faqen e internetit të Departamentit të Thesarit. Javën e kaluar, një gjyqtar federal pezulloi sanksionet, duke argumentuar se ato shkelnin Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA-ve, i cili garanton, ndër të tjera, lirinë e fjalës dhe të mendimit.

Ndërkohë, Këshilli i Qytetit të Parisit hodhi poshtë, me 76 vota pro dhe 48 kundër, propozimin e paraqitur nga La France Insoumise për t’i dhënë Albaneses, titullin e qytetares së nderit të qytetit.

Italiania Albanese, është një nga kritiket më të zëshme dhe më të dukshme të Izraelit dhe politikave të tij të dhunshme në Rripin e Gazës dhe territoret e pushtuara palestineze dhe shpesh ka qenë në qendër të polemikave për shprehjen e qëndrimeve që disa i kanë konsideruar të anshme.

Sanksionet u vendosën në maj 2025 bazuar në një urdhër ekzekutiv nga presidenti Donald Trump, i cili autorizoi Departamentin e Shtetit të sanksiononte këdo që mbështeste çështjen e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për krime lufte kundër qeverisë izraelite.

Sanksionet kundër Albaneses u motivuan gjithashtu nga pretendimi i qeverisë amerikane se ajo kishte “kërcënuar interesin kombëtar dhe sovranitetin e Shteteve të Bashkuara”, duke akuzuar disa kompani amerikane në një raport se kontribuonin në shkatërrimin e popullit palestinez.

Javën e kaluar, gjykatësi federal Richard Leon kishte pezulluar tashmë sanksionet gjatë një apeli të paraqitur në shkurt nga burri dhe vajza e Albanese. Sipas gjykatëses, Albanese u ndëshkua thjesht për shprehjen e një mendimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë