Bota

SHBA godet jugun e Iranit me raketa, rriten çmimet e naftës

Nga Gazeta ‘Si’- SHBA-të kanë ndërmarrë sulme të reja ndaj objektivave iraniane në jug të Iranit, duke goditur baza raketore dhe mjete detare që dyshohet se po vendosnin mina në zonën e Ngushticës së Hormuzit.

Komanda Qendrore Amerikane deklaroi se operacioni u krye në kuadër të “vetëmbrojtjes” dhe kishte për qëllim mbrojtjen e trupave amerikane nga kërcënimet e forcave iraniane.

Zëdhënësi i saj, kapiteni Tim Hawkins, tha se ushtria amerikane “vazhdon të mbrojë forcat e saj duke treguar përmbajtje gjatë armëpushimit në fuqi”.

Nga ana tjetër, Irani ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj sulmeve të fundit. Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baqai, deklaroi se bisedimet për një marrëveshje mes Teheranit dhe Uashingtonit kanë bërë përparim, por një dakordësi finale “nuk është ende afër”.

Pas sulmeve, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se negociatat për paqe vazhdojnë dhe se ende ekziston mundësia për një marrëveshje.

“Do të shohim nëse mund të arrijmë përparim. Ka ende diskutime për formulimet e dokumentit fillestar dhe kjo mund të zgjasë disa ditë”, deklaroi Rubio gjatë një vizite zyrtare në Indi.

Ai shtoi se presidenti Donald Trump është i vendosur për një marrëveshje, por vetëm nëse ajo konsiderohet e favorshme për SHBA-të.

Sipas raportimeve, sulmet amerikane goditën një zonë pranë Bandar Abbasit, qytet-port strategjik në jug të Iranit dhe bazë e rëndësishme detare pranë Ngushticës së Hormuzit.

Tregjet ndërkombëtare të naftës kanë reaguar menjëherë pas sulmeve amerikane në jug të Iranit, duke sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve në bursat aziatike.

Çmimet e naftës u rritën me rreth 2%, ndërsa investitorët mbeten në alarm pas sulmeve në portin strategjik iranian të Bandar Abbasit dhe pasigurisë mbi zhvillimet e konfliktit mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit.

Brent u ngjit me 1.40 dollarë për fuçi, ose 1.5%, duke arritur në 97.56 dollarë për fuçi, pasi në sesionin e kaluar kishte pësuar një rënie prej 7% falë optimizmit për një marrëveshje të mundshme paqeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë