Ne rrjet

SHBA gati të sulmonte Iranin, Trump u tërhoq në momentin e fundit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë vetëm një sekondë larg bombardimit të disa bazave iraniane të enjten, përpara se Shtëpia e Bardhë të anulonte sulmin në momentin e fundit.

Presidenti Donald Trump mësohet se aprovoi sulmet ushtarake kundër Iranit të enjten, por disa minuta më vonë duket se ka se ndryshuar mendje. Lajmi i bërë i ditur nga “New York Times”, e cila ka cituar zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, që thonë se sulmet ishin planifikuar të goditnin disa baza iraniane. Shtëpia e Bardhë deri më tani nuk ka bërë asnjë koment.

Këto raporte erdhën pasi Teherani ka qëlluar një avion spiun amerikan. Irani thotë se avioni ushtarak pa pilot hyri në hapësirën ajrore herët mëngjesin e së enjten, por SHBA-ja pretendon se ai u qëllua në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Tensionet janë përshkallëzuar pasi Irani ka hedhur në erë disa autobotë nafte. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai ka njoftuar se së shpejti do të kalojë kufijtë e rënë dakord ndërkombëtarisht për programin e tij bërthamor.

Çfarë thonë raportet e mediave amerikane?

“New York Times” publikoi të dhënat e parë për sulmet e planifikuara mbrëmjen e së enjtes. Deri në mesnatë mediat amerikane shkruanin se zyrtarët dhe diplomatët kishin rënë dakort për të bombarduar radarët iranianë dhe disa baza ku ruheshin pjesë raketash.

"Aeroplanët ishin në ajër dhe anijet ishin në pozicion, por asnjë raketë nuk u qëllua pasi Shtëpia e Bardhë anuloi sulmin në momentin fundit", raportoi gazeta, duke cituar një zyrtar të lartë të administratës amerikane.

Sulmet ishin planifikuar të ndodhnin pak para agimit të së premtes për të minimizuar rrezikun ndaj ushtrisë iraniane ose civilëve.

“Associated Press” citoi një zyrtar amerikan të thoshte se sulmet ishin rekomanduar nga Pentagoni.  Sipas New York Times, zyrtarët e lartë të Pentagonit paralajmëruan se një reagim ushtarak i ushtrisë iraniane mund të rezultojë në një përshkallëzim të frikshëm të situatës.

Operacioni u konfirmua pasi Presidenti Trump kaloi shumica e të enjtes duke diskutuar për Iranin me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare dhe udhëheqësit e Kongresit.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe këshilltari John Bolton kanë ushtruar presion për një qëndrim të ashpër, por udhëheqësit e kongresit i kërkuan Trump të tregonte vetëpërmbajtje. Kryetarja e demokratëve, Nancy Pelosi, tha se SHBA nuk kishin oreks për luftë me Iranin, ndërsa Joe Biden, e quajti strategjinë e zotit Trump si një "katastrofë të vetë-shkaktuar".

Donald Trump

Edhe pse nuk ka raporte nëse këto sulme do të vazhdojnë ose jo, thjesht sugjerimi që Presidenti Trump urdhëroi dhe pastaj u tërhoq nga sulmet ndaj Iranit, dërgon një mesazh të fuqishëm në Teheran.

Të dy vendet janë tanimë në prag të konfliktit të drejtpërdrejtë, por çfarë mesazhi do të marrin udhëheqësit iranianë?

Në fund të fundit, Teherani ishte i pari që kishte dërguar një paralajmërim të fuqishëm duke rrëzuar një avion amerikan.

Tani rreziku më i madh është që Irani të alarmohet duke ndërmarrë i pari një hap agresiv ndaj SHBA-së. Kjo mund t'i inkurajojë shumë anëtarë të Kongresit që të kërkojnë hakmarrje ndaj Iranit, duke i futur kështu të dyja vendet në konflikt të drejtpërdrejtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë