Politike

SHBA feston Pavarësinë me Metën në skenë, Rama mungon

Në Pallatin e Brigadave u zhvillua mbrëmjen e së premtes Festa e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ajo që ra në sy ishte ngjitja në skenë në krah të Ambasadores Yuri Kim të Presidentit Ilir Meta dhe mungesa e Edi Ramës.

Ceremonia tradicionale festive organizohet nga Ambasadat e SHBA në mbarë botën para 4 korrikut, kur është dita e shpalljes së Pavarësisë së SHBA.

Në festën e organizuar në Tiranë merrnin pjesë një numër i madh personash nga politika, biznesi, media dhe institucionet e drejtësisë.

Nga politika merrte pjesë edhe Presidenti në largim, Ilir Meta dhe Presidenti i zgjedhur Bajram Bega. E pranishme ishte gjitthashtu edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe ministra të kabinetit qeveritar, si ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.

I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, por në këtë festë mungonte Edi Rama.

Nga opozita merrte pjesë Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi, si dhe deputetët që duket se janë larguar nga qëndrimi i Bashës e afruar me Berishën si Grida Duma e Ervin Salianji. Nga Rithemelimi merrte pjesë deputeti Tritan Shehu. Enkelejd Alibeaj ishte gjithashtu në festë ku u pa vazhdimisht në shoqërinë e zyrtarëve të Ambasadës së ShBA.

Veç kësaj, ajo që ra më shumë në sy në festën e organizuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë ishte prania e Metës, madje ky i fundi u ngjit në foltore bashkë me Ambasadoren Yuri Kim dhe mbajti edhe një fjalim për të pranishmit në këtë ceremoni.

Meta dhe Ambasada e SHBA në Tiranë nën drejtimin e Yuri Kim kanë pasur një marrëdhënie të trazuar, ku në qendër të përplasjeve kanë qenë çështje që lidhen me reformën në drejtësi, siç ishte përplasja për radhën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, apo edhe ajo me ish-kreun e KED-së, Ardian Dvorani.

Dvorani u padit nga Meta për shpërdorim detyre dhe si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ndërkohë që Departamenti i Shtetit të SHBA i dha medaljen e “Kampionit të Luftës Antikorrupsion”.

Për këto arsye, ndoshta kjo dalje e Metës në skenë më shumë se Edi Ramën do të shqetësojë Sali Berishën, që sërish me ndoshta mund të ketë përgatitur opozitarizmin me Metën pas 24 korrikut, kur Presidentit i mbyllet mandati pesëvjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë