Analize

SHBA duhet t’i trembet Francës

Francezët janë tërbuar për prishjen e njëanshme të “kontratës shekullit”,  marrëveshjes me Australinë për shitjen e disa nëndetëseve, e shkatërruar nga pakti i nënshkruar javën e kaluar midis Australisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara.

Për herë të parë në marrëdhëniet dypalëshe, Parisi e thirri “për konsultime” ambasadorin e tij në Shtetet e Bashkuara, dhe gjuha e përdorur nga diplomatët, ministrat dhe analistët në mediat tradicionale dhe sociale gjatë ditëve të fundit, ishte çdo gjë tjetër veçse jo diplomatike.

E megjithatë, thirrjet tu afruar sërish me Parisin (dhe Evropës) me Kinën, duhet të merren seriozisht nga Uashingtoni, pasi francezët zotërojnë një potencial shumë shqetësues, për t’ia vështirësuar Amerikës korrjen e fryteve të fitores së saj diplomatike, si në Evropë ashtu edhe në Paqësor.

Francezët mund të jenë duke e tepruar me sjelljen e tyre. Megjithatë ata janë të zemëruar për arsye të forta. Së pari, mënyra përmes së cilës u rrëzua marrëveshja e tyre me Australinë, ishte në rastin më të mirë e pakujdesshme.

Ndonëse Franca nuk është një fuqi botërore, dhe është sigurisht më pak e rëndësishme për Indo-Paqësorin sesa Australia, potenciali i saj për t’u shkaktuar amerikanëve probleme në Evropë,është shumë real. Ajo është një fuqi rezidente në Paqësor, me 1.6 milion francezë që jetojnë në territoret jashtë shtetit si Kaledonia e Re dhe Polinezia Franceze.

Franca është gjithashtu aleati më i mirë i Amerikës, nëse dëshiron që BE-ja të luajë një rol si aleat në rajon. Sigurisht, nga një perspektivë amerikane, është e lehtë ta cilësosh shkeljen e një kontratë tregtare si një çështje jo shumë të madhe. Por ajo kishte për disa arsye një rëndësi të madhe për francezët.

Së pari, marrëveshja ishte shumë e rëndësishme për industrinë franceze të armatimit. Ajo e ndihmon në ruajtjen e standardeve të larta të ushtrisë franceze, dhe për pasojë e ndihmon Amerikën të luftojë xhihadistët në Sahel pa vendosur atje trupat e veta.

Gjithashtu ajo i jepte mundësinë Francës të sillte një vlerë të shtuar në rajonin e Indo-Paqësorit. Në majin e këtij viti, një flotilje franceze u dërgua në ishullin Kjushu për manovra të përbashkëta me aleatët japonezë, australianë dhe amerikanë.

Dëbimi i francezëve nga ajo që u quajt në Francë si “kontrata e shekullit”, po vë në rrezik pjesë të tëra të industrisë franceze të mbrojtjes, dhe më e rëndësishmja, u jep argumente atyre në Paris që kanë thënë gjithmonë se nuk mund t’u zihet besë anglo-amerikanëve.

Në fakt, një nga pasojat e kësaj ngjarje, është se ajo ka forcuar pozitat e neo-golistëve anti-amerikanë në Ministrinë e Jashtme të Francës. Synimet e tyre janë më se të qarta:të ruajnë distancën e tyre nga aleanca Atlantike. Ata e shohin jo vetëm Francën por edhe Evropën më shumë në një rol balancues midis Lindjes dhe Perëndimit, sesa më pranë Perëndimit.

Një nga argumentet e tyre kryesore, është se cilado qoftë natyra e marrëdhënies, amerikanëve nuk mund t’u besohet asnjëherë, pasi aleancat e tyre kanë gjithnjë standarde të dyfishta. Gjithmonë në krye janë vendet “anglosaksone”, duke i lënë të tjerët si anëtarë të dorës së dytë të aleancës.

Me frikën e një krizë të re refugjatësh nga Afganistani,që mbetet ende e lartë në Evropë, ky  argument është më i fuqishëm nga sa mund të mendohet, aq më tepër pasi nuk del nga hiçi. Ai ka qenë një argument i vazhdueshëm, i zhvilluar nga kundërshtarët e Aleancës Atlantike  që gjatë shekullit të kaluar.

Rreziku për Shtetet e Bashkuara, është se armiqtë e saj do ta përdorin marrëveshjen me Australinë si një “klub anglo-sakson”, vetëm për të dobësuar partneritetet e tjera të Amerikës në Evropë ose në rajonin e Indo-Paqësorit. Prandaj Amerika duhet ta marrë seriozisht zemërimin e hapur të Francës, dhe të gjejë mënyra për të shmangur transformimin e një fitoreje të madhe strategjike në një gabim afatgjatë, që do të largojë partnerët e tjerë kryesorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë