Nga Gazeta ‘Si’- Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka paralajmëruar presidentin amerikan Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë se informacionet e mbledhura nga agjencitë amerikane të Inteligjencës ngrenë dyshime serioze mbi gatishmërinë e Iranit për të bërë lëshimet bërthamore që kërkon Washingtoni në një marrëveshje përfundimtare.
Sipas një raportimi ekskluziv të Axios, Ratcliffe nuk është i vetmi skeptik brenda administratës. Gjatë diskutimeve të brendshme, edhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, si dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kanë shprehur rezerva dhe kanë ngritur pikëpyetje mbi memorandumin e mirëkuptimit të shpallur të dielën.
Në anën tjetër, Zëvendëspresidenti JD Vance dhe të dërguarit amerikanë Steve Witkoff e Jared Kushner kanë mbështetur marrëveshjen.
Burime të njohura me diskutimet thanë se gjatë një sërë takimesh të nivelit të lartë, Trump dhe ekipi i tij analizuan informacione të Inteligjencës që tregonin se mënyra se si zyrtarët iranianë diskutonin marrëveshjen mes tyre ishte në kundërshtim me mesazhet që po i përcillnin ndërmjetësve dhe Shteteve të Bashkuara.
“Inteligjenca pasqyron se synimet iraniane nuk janë në përputhje me angazhimet e tyre në marrëveshje”, citohet të ketë thënë një burim i njohur me vlerësimet e shërbimeve amerikane.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se Trump dëgjon të gjitha mendimet para se të marrë vendime, por theksoi se ai mbetet vendimmarrësi final. Sipas tij, memorandumi respekton vijat e kuqe të administratës duke garantuar që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore, të mos mbajë uranium të pasuruar në nivele të larta dhe të mos përdorë ngushticën e Hormuzit si mjet presioni ndaj furnizimeve globale me energji.
Memorandumi i nënshkruar të dielën parashikon një armëpushim 60-ditor dhe nisjen e negociatave për një marrëveshje më të detajuar bërthamore. Brenda kësaj periudhe, Irani do të ruajë status quo-në e programit të tij bërthamor, ndërsa SHBA-të angazhohen të mos vendosë sanksione të reja dhe të mos shtojë forcat ushtarake në rajon.
Një nga elementët më të debatueshëm mbetet çështja e fondeve iraniane të ngrira. Teksti i memorandumit lë hapësirë për interpretime, duke përcaktuar se SHBA-të do t’i bëjnë fondet “plotësisht të disponueshme për përdorim” pas zbatimit të marrëveshjes. Zyrtarët amerikanë këmbëngulin se çdo lehtësim do të jetë i kushtëzuar nga hapat konkretë të Iranit, sipas modelit “pagesë për performancë”.
Marrëveshja parashikon gjithashtu rihapjen graduale të Ngushticës së Hormuzit, me Iranin që do të garantojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare për 60 ditë pa tarifa shtesë, ndërsa SHBA-të do të heqin gradualisht bllokadën detare.
Skeptikët brenda administratës amerikane argumentojnë se Irani mund të mos pranojë kurrë kushtet bërthamore të kërkuara nga Washingtoni dhe se, ndërkohë, përfitimet e memorandumit do të jenë më të mëdha për Teheranin sesa për SHBA-të.
Megjithatë, mbështetësit e marrëveshjes thonë se procesi do të testohet shumë shpejt dhe se brenda dy ose tre javësh do të bëhet e qartë nëse Irani është vërtet i gatshëm të bëjë lëshime domethënëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje