Njerez

Sharmi i pa moshë i Viktor Zhustit

Nga Suadela Balliu - Ka lindur në Ditën e Rinisë e, megjithëse kjo e fundit u vendos në vitin 2009 si festë zyrtare për të përkujtuar lëvizjen studentore të nisur pikërisht në atë ditë, njëzetetetë vjet më parë, ndërsa ai erdhi në jetë në motin 1942, në mes të Luftës së Dytë Botërore, rinia e gjithhershme është një prej tipareve që e dallon. Më 8 dhjetor, Viktor Zhusti festoi ditëlindjen e shtatëdhjetë e gjashtë dhe me një sharm alla Sean Connery, me floknajën dhe mjekrën e argjendtë veprimtaria e tij artistike, jo vetëm që nuk sheh marshe ngadalësimi, por duket në majë të saj. I kthyer nga Varshava me një triumf në filmin “Delegacioni”, të regjisorit Bujar Alimani, ku kishte rol protagonist, do të interpretonte edhe në dramën “Terror”, të regjisorit Gëzim Kame e, ndërsa përgatitet për të prezantuar edicionin e 57-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, interpreton në dramën “Prostituta”, me regji të Leka Bungos.

Për herë të parë do të prezantonte të dhjetin festival të këngës e që nga ajo kohë, kanë kaluar shumë ujëra.

Ata që sapo kishin lindur atëherë, kur festivali me një traditë ende të re, vetëm prej një dekade, prezantohej nga Viktor Zhusti dhe Edi Luarasi, kanë mbërritur pranë të të pesëdhjetave. Kanë kaluar fiks dyzeteshtatë vjet, do të thoshte Zhusti, ndërsa fliste rreth ndjesive që i jep ky rikthim në festën e këngës shqiptare të muzikës së lehtë, nga data 20 dhjetor në skenën e Pallatit të Kongreseve. Për të, në një shoqëri që gjithnjë e më shumë i drejtohet shkencës dhe estetikës për të sfiduar kohën, duket se nuk ka kaluar asnjë ditë. E di që nuk ka asgjë të ngjashme me të dhjetin, që ishte pararendësi i atij edicioni që u pa si revolucioni në muzikë, për t’u ikur rregullave të rrepta të regjimit komunist e për të sjellë pak aromë rroku dhe çlirimi, të paktën përmes tingujve, e megjithatë ky rikthim nuk mund të mos ishte ngacmues, jo vetëm i nostalgjisë, por edhe i të dëshmuarit mbi skenë të dy epokave, krejt të largëta – e para në zemër të diktaturës, e dyta në zemër të tranzicionit.

Viktor Zhusti dhe Ana Golja, prezantues të Festivalit të 57 të Këngës. 


“Mendova se pas 47 viteve të vish sërish në skenën e festivalit –një festival që nuk ka asnjë lidhje qoftë në organizim qoftë në konceptim me atë të 47 viteve më parë - m’u duk me shumë interes”, do të shprehej Zhusti, gjatë konferencës për shtyp, ku organizatorët e festivalit, drejtori Martin Leka dhe drejtoresha artistike Inva Mula, bënë me dije për publikun emrat e prezantuesve dhe surprizat e këtij edicioni. Në krah nuk do të ketë aktoren e njohur Edi Luarasi, e cila do të ishte protagoniste edhe e festivalit legjendar të Njëmbëdhjetë si konferenciere, ku shumë këngëtarë panë dorën e hekurt të Partisë që i burgosi, i degdisi në kombinate e uzina për punë fizike apo i largoi përgjithnjë nga skena e artit. Shoqërohet nga një vajzë e re, 23 vjeçare, Ana Golja, e cila ka lindur jashtë Shqipërisë, në Kanada, ku edhe është bërë e famshme si aktore e këngëtare.

“Edi Luarasi ishte një yll që kaloi në skenën shqiptare, këngëtare, aktore me një bukuri dhe inteligjencë të veçantë së cilës në këtë rast megjithëse ka problem shëndetësore i uroj të ketë sa më shumë shëndet, uroj të jetë gjithmonë mirë, sepse nga yll është shndërruar në një meteor që kaloi në qiellin shqiptar”, do të shprehej aktori për kolegen e tij. Kjo ftesë, në vitin e pesëdhjeteshtatë të festivalit, nuk e fsheh se e emocionoi. Për Zhustin ngjarje të tilla nuk janë nga ato të rrallat raste, ku publiku ka mundësi ta shohë. Angazhimet e tij në kinema dhe teatër nuk duket se kanë pasur ndërprerje dhe është nga ata aktorë, karriera e të cilit nuk është ndarë në epoka para apo pas viteve ’90. Edhe pse i ka munguar skenës artistike për disa vite, ka ditur ta lidhë fillin me teatrin, ekanin e madh dhe jetën artistike, aty ku e kishte lënë.

Viktor Zhusti si Jaho në Malet me blerim mbuluar

Kur krijimtaria kinematografike lulëzonte në Kinostudion “Shqipëria e re”, ishte ndër aktorët më të kërkuar nga regjisorët. Ishte ndoshta eleganca, zëri jo i vrazhdë që sikur stereotipizonte disi burrat shqiptarë apo joshja e syve të shkruar dhe aftësia për t’u shndërruar nga një politikan i Rilindjes, si Pandeli Çala, në filmin “Nëntori i Dytë” , tek partizani Jaho në luftën nacional-çlirimtare, në filmin “Malet me blerim mbuluar” e deri tek dramat familjare në filma si “Kur po xhirohej një film” apo “Taulanti kërkon një motër” e deri tek komedia, shumë e dashur për publikun shqiptar “Shi në plazh” në rolin e Alberit dhe batuta e famshme, që e donte emrin e të riut, të dashuruar me artisten, interpretuar nga Elvira Diamanti, ku emri i tij ishte “Alber, pa “t””.
Ishte një bashkëpunim me regjisorin Gëzim Kame edhe asokohe, një dyshe që kanë bashkëpunuar shpesh.

Komedia "Shi në plazh",  Viktor Zhusti dhe Elvira Diamanti

Më 2009-ën, kur pati edhe një rikthim të bujshëm të Zhustit me komedinë “Të gjithë kanë huqe” , si psikanalisti dr.Stern, i cili ka një metodë origjinale për të kuruar veset e pacientëve të tij dhe tani, më 2018-ën në dramën “Terror” . Drama zbërthen gjyqin e një piloti, i cili duke mos pranuar urdhrin e terroristëve që morën peng avionin, në drejtimin e tij, për t’u ulur në një stadium me 70 mijë njerëz, rrezikoi jetën e 164 pasagjerëve në bord. Çështja që shtroi regjisori Kame, e që duhej gjykuar nga gjyqtari, i interpretuar nga Viktor Zhusti, ishte nëse piloti gjykohej si hero apo terrorist? Pas kësaj shfaqjeje që erdhi premierë në tetor, në “ArTurbina” , do të nisej drejt Polonisë, me kastën e aktorëve dhe regjisorin e filmit “Delegacioni”, për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, në Varshavë. Filmi që e pat premierën botërore në ato ditë të festivalit, të kategorizuar si i klasit ‘A’, i krahasueshëm për nga rëndësia me festivale si ai i Venecias, fitoi çmimin si më i miri. Pas premierës shqiptare, shumë e gjykuan Zhustin “brilant në lojën aktoriale”.

Nga filmi "Delegacioni" . Viktor Zhusti në rolin e të burgosurit politik, Luanit 

Ai interpreton Luanin, një intelektual i burgosur, i cili nuk pranon të luajë lojën e pushtetit dhe preferon sakrificën kapitale sesa të bëhet vegël e tyre. Skenari, i shkruar nga i ndjeri Artan Minarolli, zhvillohet në tetor të vitit 1990, periudhë ku regjimi komunist në Shqipëri përpiqet të mbajë pushtetin. Një delegacion europian vjen në Tiranë për të monitoruar vënien në jetë të reformave nga ana e qeverisë – një parakusht që Shqipëria të pranohet në OSCE. Luani , protagonisti i interpretuar nga Viktor Zhusti, nxirret fshehtas nga një burg i largët e sillet në kryeqytet. Ka qenë i burgosur politik për 15 vjet. Tani është kthyer në një aset shumë të vyer për qeverinë. Delegacioni europian kryesohet nga një shok i vjetër shkolle i Luanit. Detyra e tij është të verifikojë progresin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Luani mund ta bindë atë se gjithçka shkon mirë. Por asgjë nuk shkon siç është planifikuar…

Me regjisroin Bujar Alimani


Regjisori Bujar Alimani e konsideronte, me zhvillimet e fundit në vend, filmin “Delegacioni” si më aktual se kurrë. Krahas filmit, përmendje të veçanta në festivalin e Varshavës erdhën për protagonistët meshkuj, Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa e Xhevdet Feri, për lojën brilante dhe përfaqësimin e secilës pjesë të shoqërisë, duke treguar sesa e vështirë ishte mbijetesa në atë periudhë. Një tjetër periudhë e vështirë e historisë së vonë të Shqipërisë, viti 1997, parë me syrin e regjisorit spanjoll Marco Lledó Escartín, e sheh Viktor Zhustin sërish në sheshxhirim. Filmi i parë spanjoll me metrazh të gjatë, me aktorë shqiptarë, u shfaq javën e parë të tetorit të 2018-ës, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sitges, Barcelonë. Filmi me titull “Zgjimi i Enver Simakut” (The Invocation of Enver Simaku), i vendos ngjarjet 18 vjet pas masakrës së ndodhur në vitin 1997, pranë Kishës së Mespotamit. Protagonisti, Zhylien kthehet në Shqipëri për të zbuluar misterin dhe vrasësit e gruas së tij gazetare e cila ndodhej në Vlorë. Revoltat në qytetin bregdetar pas falimentimit të Skemave Piramidale dhe disa xhirime amatore të bëra natën e 27 shkurtit turbullojnë edhe sot mendjen e Zhylienit. Zhusti interpreton rolin e Idriz Simakut, ndërsa kasta sheh aktorë si Tinka Kurti, Margarita Xhepa apo Ema Andrea.

Megjithëse prej vitesh, pas rënies së komunizmit, Viktor Zhusti ka jetuar në Athinë, nuk i ka munguar teatrit, ku pas “Të gjithë me huqe” që e riktheu bujshëm – ashtu si edhe spektakli i vallëzimit “Dancing with the Stars” , do të interpretonte në “Kush ka frikë nga Virginia Woolf rolin e Xhorxhit, “Djemtë gazmorë” më 2014 –ën , në krah të Robert Ndrenikës, dyshja komike Uill Klark dhe Elj Luis, ndërsa një vit më vonë do të luante Markezin De Sadë, në damën “Vrasja e Maratit”, me regji të Hervin Çulit. Ajo që do të habiste më shumë publikun, për rininë e gjithhershme të Viktor Zhustit, ishte pjesëmarrja si konkurrent në spektaklin “Dancing with the Stars”, tetë vjet më parë. Asokohe ishte 68 vjeç dhe, ndërsa e takoja, në oborrin e kinema “Millenium” asokohe për t’i marrë një rrëfim jo prej ylli vallëzimi apo skenash teatri, por më intim, prej gjyshi, kujtoj fjalët e tij që thoshte “ Unë nuk jam fare gjysh serioz. Gjysh që kërcen nëpër spektakle…Jo! Jo! Nuk është gjysh ky që doni të nxirrni!…”.

Viktor Zhusti në Dancing with the Stars 


Atëkohë do të ndërmendte gjyshërit, në Gjirokastër, veçanërisht të gjyshen, Viktori, nga e cila trashëgoi edhe emrin, familjen e xhaxhait ku u rrit, pasi prindërit u ndanë. Kish lindur në Athinë në atë kohë lufte dhe pas divorcit të prindërve, një vizitë me të atin tek gjyshërit do ta ndante përgjithmonë nga e ëma. Ishin kohë luftërash e më pas izolimi dhe e pat ditur të vdekur të ëmën. Do ta ritakonte të gjallë, pas 40 vitesh ndarje. Ishte mesi i viteve ’80, “Gjatë një vizite në Greqi mora vesh se ajo ishte gjallë. E gjeta e takova, qëndrova dy javë me të dhe pastaj leja mbaroi dhe unë duhet të kthehesha sërish në Shqipëri”, do të kujtonte Zhusti, në shfaqjen e dytë të spektaklit të vallëzimit, në pranverën e 2018-ës.

Zhusti në Dancing with the Stars, 2018 

Gjirokastra, ku u rrit, do ta shpallte së fundi edhe qytetar nderi. “I befasuar, mendoj, ç’kam bërë për atë qytet, që meriton aq shumë dhe që, bujarisht, më dha kaq shumë ?!Fakti që, më renditi krahas emrave të bijve të tij të ndritur, më bën të ndihem “borxhli i përjetshëm”, më tepër se “bir’i tij”, do të shkruante mirënjohës Zhusti.

E ndërsa përgatitet për prezantimin që e kthen pas 47 vitesh në Festival, flet për premierën e dramës “Prostituta”, që vjen në sallën “Moliere” të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, mbrëmjen e 14 dhjetorit. “Janë ngjarje që i njeh, qoftë nga familja, shoqëria e politika shqiptare. Erdhi një moment që u shndërrua në një plagë; droga dhe prostitucioni dy plagë më të mëdha që erdhën me transformimin”, thotë ai, ndërsa zbulon se e gjithë drama e shkruar dhe e vënë në skenë nga Leka Bungo, rrëfen fatin e një vajze të thjeshtë fshati, e cila trafikohet. “Ka njëlloj transmetimi të një morali kishtar, shoqëria ka shumë dhunë. Është një përgjigje agresive dhe autori bën thirrje për një zgjidhje. Duhet të kemi paqe shpirtërore dhe paqe sociale”, thotë ai. Moshatarët që do ta shohin në skenën e Festivalit të Këngës, ndoshta do të kujtojnë të shkuarën, ku kjo ngjarje ishte edhe një nga gëzimet e kursyera që kishin shqiptarët, ndërsa brezat e rinj do të donin, që kishin të njëjtën magjepsje dhe elegancë të një burri që duket se nuk ka moshë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë