Futboll

Shaqiri dhe Xhaka kërkojnë falje për shqiponjën

Shqiptarët e Zvicrës janë bërë “pishman” për simbolin e shqiponjës që ata bënë në Botërorin e Rusisë dhe kanë kërkuar falje publike për atë gjest. Një lajm që ka pushtuar shtypin sportiv dhe jo vetëm në Zvicër. Në një konferencë shtypi, futbollistët me origjinë shqiptare të Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të cilët ishin protagonistë me golat e tyre në fitoren Zvicrës ndaj Serbisë, kanë bërë të ditur se tani kanë një mendim tjetër, ndoshta të ndikuar nga situata e krijuar së fundi në kombëtaren zvicerane. Përveç tyre, të njëjtën gjë ka bërë edhe Stefan Lihtshtajner, i cili po ashtu bëri simbolin e shqiponjës me duar. Një veprim që duket se ka si qëllim që këta lojtarë të rifitojnë simpatinë e tifozëve në Zvicër.

“Nuk do ta bëja përsëri, do të ishte një budallallëk. Nuk do të bëhet më ai gjest”, - ka thënë mesfushori Granit Xhaka, për të cilin mediet në Zvicër aludojnë se synon të marrë me ngulm shiritin e kapitenit, pas përjashtimit të Behramit. Kurse shqiptari tjetër i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, tha: “Kërkoj ndjesë, nëse njerëzit janë ndjerë të prekur kur kanë parë ndeshjen në Zvicër”. Ka folur edhe mbrojtësi i Arsenalit, Stefan Lihtshtajner, duke theksuar: “Kërkoj falje, sepse nuk doja të fyeja dhe shqetësoja askënd”.

Nga koferenca e shtypit, ku Xhaka dhe Shaqiri kërkuan falje për shqiponjën

Një ndryshim i qëndrimit nga ana e futbollistëve me origjinë shqiptare të Zvicrës, të cilët pas asaj që ndodhi në ndeshjen me Serbinë në Botërorin e Rusisë, e mbrojtën gjestin e tyre. Ata u gjobitën më pas nga FIFA, nga 10 mijë franga Shaqiri dhe Xhaka, ndërsa Lihshtajner 5 mijë franga.

Por situata më pas mori një rrjedhë tjetër dhe Valon Behrami u përjashtua nga kombëtarja zvicerane. Drejtuesit e futbollit në Zvicër kanë pasur së fundi një mbledhje, ku kanë vendosur që të tilla sjellje të lojtarëve me origjinë shqiptarë të mos përsëriten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë