Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një dalje për mediat ka deklaruar se rektori Mynyr Koni vazhdon të kryejë shkelje dhe të shkaktojë probleme.
Në çështjen e rektorit Koni, ministrja nuk lë pa përmendur edhe presidentin Meta, i cili rrëzoi kërkesën e kësaj të fundit për të mos shkarkuar Mynyr Konin.
Sipas Shahinit, Meta vazhdon të ndjekë politikën e tij të zakonshme, duke refuzuar propozimet e qeverisë.
“Unë propozova shkarkimin e rektorit bazuar në një sërë shkeljesh së mundshme. Por presidenti zgjodhi të mos pranojë propozimin tim dhe la në detyrë një rektor që vazhdon të shkaktojë probleme serioze në menaxhimin e universitetit. Dhe për mua ishte atëherë dhe mbetet zhgënjyese që presidenti në vend që të kontribuojë në universitet, vazhdon të bëjë politikën e tij të zakonshme të refuzimit të çdo propozimi që vjen nga qeveria jonë. Por unë kam ende shpresë që zgjedhjet e 2020 do vazhdojnë të prodhojnë figura të tjera, që do të përfaqësojnë denjësisht”, deklaroi Shahini.
Shahini tha se më 8 maj, universitet publike do të zgjedhin drejtuesit e rinj dhe theksoi se fushata do të nisë sipas rregullores një muaj përpara.
“Në maj, skadon mandati i drejtuesve të Universiteteve publike. Kam firmosur urdhrin për datën e zgjedhjeve për të gjitha stukturat e reja drejtuese dhe është data 8 maj 2020. Fushata fillon 30 ditë para, pra në datën 9 prill. Universitetet janë të detyruara të publikojnë dy muaj, pra 60 ditë para rregulloren”, u shpreh Shahini.
Shahini ndër të tjera vuri theksin edhe te Pakti për Universitetin, ku sipas saj janë kryer një sërë arritjesh në shërbim të studentëve.
“Kemi rritur numrin e bursave, që përfshijnë kategori të ndryshme, si studentë ekselentë, me ndihmë ekonomike,etj. Kemi shpërndarë kartën e studentit. Sa u përket konvikteve, janë rregulluar, brenda muajit shpresojmë të mbyllet dhe pjesa e mobilimit. Instaluam softuerin anti plagjiaturë për doktoraturat”, tha ndër të tjera ajo.
Sa u përket bordeve të administrimit, Shahini tha se nuk duhet të jenë pedagog të Brendshëm të Universiteteve.
“Në bordin e administrimit do të jenë njerëz që përfaqësojnë Ministrinë e Arsimit. Ky proces ka mbaruar, aty ku kemi mbetur pa anëtarë bordi janë 3 universitete, ku studentët nuk kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Në Universitetin e Tiranës mirëpresim që të bëjë sa më shpejt procesin zgjedhor në mënyrë që studentët ta kenë përfaqësuesin e tyre, por nuk duhet të jetë pedagog i brendshëm i universitetit”, tha ndër të tjera Shahini.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.