Futboll

Sfida me Kamzën, Gega: Partizani shkon vetëm për fitore

Një humbje në ndeshjen mes gurësh dhe përplasjesh në Korçë nuk mund të jetë një tregues i besueshëm për Partizanin e këtij sezoni. Gjithsesi nuk ka shumë kohë për t’u menduar, pasi sfida e radhës për “demat” është në prag dhe një nga ato që kuotohet si shumë e vështirë. Në javën e dytë të Superligës, Partizani do të përballet me Kamzën në transfertë. Kjo e fundit vjen nga një fitore me Tiranën dhe morali është në nivelet më të larta.

Në prag të kësaj sfide tejet delikate, trajneri i të kuqve, Skënder Gega në konferencën e zakonshme për shtyp ka dal bashkë me mbrojtësin Lorenc Trashi në krah.

“Është ndeshje e vështirë, e kemi parë kundërshtarin, e kemi analizuar dhe do e shohim sërish. Dhuroji ndeshje të mirë me Tiranën dhe u shqua për grintën dhe agresivitetin. Do mundohem me detaje ta zbërthejmë kundërshtarin dhe të ndërtojmë një strategji. Ekipi është mirë fizikisht, por edhe nga anët e tjera jemi “OK” dhe të bashkuar. Në Kamëz shkojmë për fitore dhe është e vetmja rrugë për ne”,- ka deklaruar Skënder Gega.

Në Korçë u pa një Partizan që mbrohej mirë, por që kishte vështirësi të shumta në daljen në sulm. Fokusi u vu tek sulmuesi kryesor, Rubin Hebaj që u duk sikur nuk ishte në formën e tij më të mirë, por edhe për këtë gjë, Skënder Gega e ka një shpjegim.

“Ekipi nuk u përgjigj për aq kohë sa kemi punuar. Pjesa e parë nuk ishte ajo që prisja, lojtarët reaguan në pjesën e dytë. E respektuam më shumë kundërshtarin, na imponuan në pjesën e parë. Më pas reaguam dhe dominuam. U goditëm në një moment kur nuk e prisnim. Sa i përket Hebajt, është një lojtar me të ardhme dhe jam i kënaqur me të. Ekipi nuk e mbështeti siç duhet. Kjo ndodh në futboll, asgjë nuk bëhet perfekte. Nuk interpretuam mirë lojën në pjesën e parë, në të dytën ndodhi ndryshe. Hebaj më pas doli në pah.”

Ajo fitore në javën e fundit e Kamzës sezonin e shkuar, falë të cilës siguroi edhe mbijetesën e Superilgë, ka bërë që në ditët e fundit mediat shqiptare të vlojnë lidhur me një tolerim të mundshëm, si kthim borxhi nga ekipi kamzali. Por kjo gjë as nuk merret përsipër të komentohet nga tekniku i të “kuqve”, Gega. Ai sqaroi në konferencë se gjithë jetën e tij sportive ka punuar me ndershmëri dhe të njëjtën gjë do të kërkojë të bëjë deri në fund.

“Unë personalisht kurrë nuk do kem dëshirë dhe nuk do marrë pjesë në asnjë lloj bamirësie. Ajo që ka ndodhur, nëse ka ndodhur, dhe ju keni qenë prezentë me Kamzën, është diçka që nuk më takon mua. Do dëshiroja më mirë të humbisja, se sa të përzihem me marrëveshje dashamirësie. Dua të marr atë që unë kontribuoj. Asnjë profesionist nuk duhet të ndërhyjë në të tilla marrëveshje. Jam i qetë dhe nuk më intereson asgjë.”

Në fund të konferencës ka folur edhe mbrojtësi me eksperiencë dhe titullar i padiskutueshëm, Lorenc Trashi.

“Jam shprehur se ky ekip, ndryshe nga sezonet e kaluara, është më shumë pa bujë. Besoj ky do të jetë çelësi i suksesit. Të gjithë trajnerët kanë taktikat e tyre. Nuk mund të jap një mendim. Pozicioni? Unë luaj aty ku mendon trajneri, aty ku ka nevojë ekipi.”

Por te Partizani gjatë ditës së enjte i është dhënë zgjidhje edhe një tjetër problemi shumë të madh, siç ishte ai me sulmuesin Edgar Çani. Përmes një njoftimi për mediet, "klubi i kuq" ka njoftuar se ka ndërprerë marrëdhëien me lojtarin dhe ai do të vijojë karrierën në Itali. Çani erdhi me shumë bujë te Partizani vitin e shkuar, por nuk tregoi asgjë, nga çfarë pritej.

https://www.facebook.com/partizaniclub/photos/a.180026368858434/908158909378506/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë