Futboll

Serie A në ankth, dy ekipe rrezikojnë rënien nga kategoria

Prej vitesh nuk është në kulmin e shkëlqimit dhe skuadrat e saj nuk janë më në majën e futbollit europian. Seria A e ka humbur prej gati 10 vitesh atë lavdi dhe spektakël që dhuronte në vitet 90’ dhe në fillim të viteve 2000, ku e gjithë vëmendja ishte tek Milan, Juventus, Inter apo edhe tek ekipe si Roma e Lacio.

Kur po tregoheshin disa shenja përmirësimi të nivelit, blerje të rëndësishme në tregun e futbollistëve, por edhe në aspektët e tjerë finaciarë, elita e futbollit Italian ka marrë një tjetër goditje. Bëhet fjalë për dy klube të Serie A që akuzohen për korrupsion dhe mashtrim me të ardhurat financiare dhe trukim ndeshjesh. Janë dy klube shumë të njohura dhe më traditë në kampionatin Italian, si Parma dhe Kievo Verona.

Sipas medieve italiane, dy klubet akuzohen se kanë parregullësi të rënda në bilancet e tyre ekonomike dhe se kanë mashtruar Ligën Italiane të Futbollit duke ndikuar në rezultatin e sfidës.

Veronezët akuzohen se kanë prodhuar një bilanc pozitiv fiktiv për 25 milionë euro pas një serie këmbimesh lojtarësh me Çezenën.

Për sa i takon Parmës, akuza është akoma dhe më e rëndë, pasi flitet për shkelje të garës sportive. Akuza e fortë bazohet te disa mesazhe të këmbyer me lojtarët Spezias, që ka rezultuar vendimtare për ngjitjen e tyre në Serinë A.

Në qendër të kësaj historie për Parmën është sulmuesi Emanuele Kalaio, i akuzuar për shkelje të nenit 7 paragrafi 1 dhe 2 të Kodit të Drejtësisë Sportive Italiane. Katër ditë para takimit të 19 majit, i fundit të vlefshëm për Serinë B midis Spezia dhe Parma, lojtari ka dërguar disa mesazhe me aplikacionin “ëhatsapp” një kolegu të Spezia, Filipo De Kol për një angazhim pak më të vogël në këtë përballje. Gjithë arsyeja e këtyre mesazheve kishte për qëllim kualifikimin e Parmës në Serinë A. Ndeshja në fjalë përfundoi 2 me 0 për ekipin e Parmës dhe automatikisht ekipi Ligurian u ngjit në Serinë A. Më 19 korrik do të ketë një proces ankimimi në Foxhia, ku do të kërkohet anulimi i dënimit, ose së paku reduktimi.

26 korrikun e ardhshëm do të hidhet shorti për kalendarin e sezonit 2018/19 të kampionatit italian, por starti i Serisë A duket se mund të ndryshojë pa filluar për shkak të vendimeve që mund të merren në zyrat e Federatës Italiane të Futbollit.

Tashmë, gjithçka është në duart e gjykatës federale kombëtare që do të marrë vendimin për të dyja klubet. Nëse Prokuroria fiton, atëherë elita e futbollit italian do të pësonte një tronditje të madhe pak ditë para hedhjes së shortit për sezonin e ri. Kjo do të ishte goditja e dytë për futbollin apenin, pas skandalit të Kalçopolit në vitin 2006, ku një pjesë e madhe e skuadrave më të rëndësishme italiane u penalizuan, me gjoba por edhe me zbritje nga kategoria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë