Futboll

“Serenatë” poshtë dritares së Ronaldos. Tifozët iranianë i prishin gjumin

Nen titull

Strategjitë përgatitore për një ndeshje të rëndësishme, sidomos kur bëhet fjalë për një takim vendimtar sa i takon vazhdimit apo jo në Kupën e Botës janë top sekret, por në heshtje mirëpriten nismat e pazakonta të tifozëve për të ndihmuar skuadrën e tyre.

E tillë ishte edhe ajo e një grupi tifozësh iranianë, që vendosën t’i prishin gjumin Cristiano Ronaldos një natë para ndeshjes direkte mes Portugalisë dhe Iranit, që është edhe vendimtare sa i takon kualifkimit në grupin B.

Tifozët iranianë të grumbulluar para hotelit ku po qëndron Portugalia

Dhjetra tifozë iranianë u grumbulluan në qytetin Saransk para hotelit ku është akomoduar Portugalia dhe nisën të këndojnë e brohorasin në orët e vona të natës, në një përpjekje për t’u prishur qetësinë para takimit të kësaj të hëne.

Në shënjestër të “serenatave” të tyre ishte dritarja e Ronaldos, i cili po kalon një superformë në këtë botëror dhe është lojtari që ka shënuar të katër golat e Portugalisë dhe i ka dhënë po kaq pikë skuadrës në grupin B, duke e mbajtur atë kokë për kokë me Spanjën në renditje.

https://twitter.com/twitter/statuses/1010984607020396545

Pamjet e publikuara nëpër rrjetet sociale tregojnë turmën e njerëzve të mbledhur me daulle dhe vegla të tjera zhurmuese dhe po nga këto pamje duket qartësisht se plani i tifozëve funksionoi.

Në një moment, Cristiano Ronaldo shfaqet në dritaren e dhomës së hotelit ku po qëndron dhe u tregon tifozëve me shenjë se ishte orar gjumi dhe të mos bënin zhurmë. Gjesti as që u bëri përshtypje iranianëve, që nisën të zhurmojnë akoma më fort, kur kuptuan se ja kishin prishur qetësinë asit të Realit të Madridit.

Portugalia dhe Irani përballen mbrëmjen e së hënës në orën 20:00 në ndeshjen e fundit të fazës në grupe. Portugezët kanë 4 pikë dhe u mjafton edhe një barazim për të vazhduar më tej, ndërsa Iranit i duhet me patjetër fitorja.

Ndeshja tjetër e këtij grupi është ajo mes Spanjës, që ka gjithashtu 4 pikë dhe Marokut me 0 pikë dhe të eleminuar tashmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë