Opinion

Serbia s’lëviz as gishtin pa miratimin e Rusisë

Serbia do të konsultohet ngushtë me Rusinë për çdo temë që do të shtrohet në dialogun me Kosovën në Bruksel, përfshirë edhe çështjen e kufijve, që pritet të shtrohet në tryezë në takimin Thaçi-Vuçiç në shtator.

Ministri i Jashtëm serb përjashtoi mundësinë që Beogradi të nënshkruajë një marrëveshje përfundimtare me Prishtinën pa marrë më parë miratimin e Moskës.

“Rusia ka qenë, mbetet dhe do të vazhdojë të jetë partneri ynë strategjik. Ne nuk mund të mbrojmë veten dhe as interesat tona pa ndihmën e Rusisë, ndaj do të flasim me ta për çdo rast dhe çdo vendim”, deklaroi Ivica Daçiç për mediat serbe.

Kryediplomati serb iu përgjigj edhe deklaratave të Ramush Haradinajt. Nuk interpretoi qëndrimin e Kryeministrit të Kosovës kundër ndryshimit të kufijve, por nuk la pa interpretuar sipas kendvështrimit serb deklaratën e Haradinajt për nisjen e punës për shenjimin e kufirit ekzistues mes dy vendeve.

“Nuk ekziston asnjë kufi. Ka një vijë ndarëse administrative. Kjo çështja e kufirit është një shaka e madhe”, u shpreh ai.

Daçiç thotë se në arenën ndërkombëtare gjërat nuk janë më në favor të Kosovës.

“Ata vazhdojnë të festojnë ditëlindjen e Bill Clinton, por harrojnë që në arenën ndërkombëtare gjërat nuk janë më njësoj. Shteti i Kosovës është një sajesë, por ata nuk po i ndjekin zhvillimet në politikën botërore”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në një intervistë për gazetën serbe Danas, ish i dërguari i Bashkimit Europian për Kosovën, Wolfgang Petritsch nuk përjashton mundësinë e korrigjimit të kufijve, por kërkon kujdes në këtë pjesë.

“Ekziston mundësia e një korrigjimi estetik të kufijve, por duhet bërë kujdes me këtë”, u shpreh ai.

Petritsch thotë gjithashtu se nëse ndryshimet bëhen të pamatura dhe të pamenduara mirë nga ana e politikës, rrezikon që konflikti i ngrirë mes shqiptarëve dhe serbëve të përshkallëzohet në një tjetër luftë në Ballkan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë