Analize

Serbia me armë kineze, përgatitet për “lojëra lufte” me NATO-n

E mbushur me jehonën e bombardimeve të viteve 1999 dhe e lidhur ngushtë me Moskën, Serbia duket si zgjedhja e fundit  në rajon për mbajtjen e ushtrimeve të përbashkëta të NATO-s. Por aleanca ushtarake do të organizojë në rrethinat e Beogradit një sërë “lojërash të mëdha lufte” javët e ardhshme.  NATO-s ka njoftuar se do të mbajë një stërvitje të madhe ushtarake, në Serbi nga 8 deri më 11 tetor. Sipas zyrtarëve të aleancës transatlantike gjatë manovrave do të marrin pjesë 30 vende të ndryshme të botës dhe do të angazhohen më shumë se 1,500 trupa ushtarake.

Pse po organizohen stërvitjet?

"Qëllimi i ushtrimeve ushtarake është përmirësimi i operacioneve ndërkombëtare, në rast fatkeqësie natyrore ", thuhet në njoftimin zyrtar të NATO-s, i cili përcakton se stërvitja do të simulonte një situatë tërmeti. "Skenari është një mundësi e mirë për të praktikuar bashkëpunimet ndërkombëtare dhe për të forcuar aftësinë e ekipeve nga vende të ndryshme të botës për të punuar në mënyrë efektive së bashku në një gamë të gjerë operacionesh emergjente", theksonte deklarata. Operacionet përfshijnë kërkimin dhe shpëtimin e të mbijetuarve, pjesëmarrjen e ekipeve mjekësore, mbrojtjen e banorëve në rast shpërthimi kimik, si ndërhyrjen e ekipeve të dekontaminimit.


Një ushtar gjeorgjian merr pjesë në stërvitjen e përbashkët ushtarake shumëkombëshe në Serbi

Këto stërvitje vijnë vetëm pak pas manovrave më të mëdha ushtarake të mbajtura nga  Kina dhe Rusia, të komentuara vazhdimisht si sfidë ndaj Perëndimit dhe NATO-s. Manovrat e përbashkëta mes dy fuqive botërore, të quajtura “Vostok-18”, përfshinë më shumë se një mijë avionë, treqind mijë ushtarë dhe pothuajse të gjitha mjetet ushtarake ruse. Për shumicën e ekspertëve, zgjedhja e Serbisë për stërvitjet ushtarake të NATO-s, aleati më i madh i Rusisë në Ballkan, është një lëvizje strategjike e aleancës transaltantike për të treguar kontrollin që ka në rajon. Këto do të jenë ushtrimet e dyta shumëkombëshe të mbajtura këtë vit në Serbi, nën patronazhin e NATO-s. Përfaqësuesit e aleancës theksojnë gjithashtu se vitin e kaluar NATO trajnoi 1,250 anëtarë të ushtrisë serbe dhe se kjo e fundit mori pjesë në 20 ushtrime nën patronazhin e aleancës.

Si “vëllai i vogël” i Rusisë në Ballkan, Serbia i ka kërkuar NATO-s të respektojë neutralitetin  e saj ushtarak. Ndërkohë  presidenti Aleksandër Vuçiç e ka vendosur Beogradit në një ekuilibër mjaft delikat, nga njëra anë si një vend partner që nuk planifikon të bëhet një anëtar i NATO-s dhe nga ana tjetër si aleatja  më e vyer e Moskës në Europë. Por a do të mund të qëndrojë edhe për shumë kohë Beogradi mes dy “zjarreve”?  

Serbia blen tanker rus 

Serbia blen armatime të rënda nga Kina dhe Rusia

Por ndërkohë që NATO po bën gati terrenin për manovrat e ardhshme, Serbia ka arritur një marrëveshje të madhe ushtarake me Kinën. Zëvendësministri serb i Mbrojtjes, Nenad Miloradoviç, tha për agjencinë e lajmeve “Tanjug” më 18 shtator se Serbia kishte rënë dakord të blinte armë të sofistikuara dhe teknologji ushtarake nga Kina, "të cilat nuk i ka asnjë vend tjetër në Ballkan”. Miloradoviç tha se dronët e rinj luftarakë do të kenë aftësinë për të zbuluar dhe identifikuar objektivat gjatë ditës dhe natës. Zëvendësministri serb theksoi gjithashtu se dronët do të mund të lëshojnë bomba dhe raketa.

"Kjo është aftësi që vetëm ushtarakët më të aftë të botës e kanë dhe do ta jetë tanimë në dispozicion të ushtrisë serbe”, shtoi Miloradoviç. Marrëveshja e dakorduar sipas tij do të përfshijë gjithashtu edhe bashkëpunimin industrial dhe teknologjik mes Kinës dhe Serbisë. Kohët e fundit, ushtria serbe mbajti gjithashtu edhe disa manovra ku paraqiti avionët MIG që mori dhuratë nga Rusia. Megjithatë, sipas raporteve, ministria serbe e Mbrojtjes ka shpenzuar miliona për modernizimin e tyre.

Serbia blen avionet rus 

Në muajin prill, agjencia ruse e lajmeve, “Tass” njoftoi se Serbia dhe Rusia kishin rënë dakord për prokurimin e armëve të reja të Serbisë, duke përfshirë helikopterët Mi-17, tanket T-72, automjetet luftarake BMP-2 dhe një sërë pajisjesh të tjera ushtarake. Serbia ka lidhur gjithashtu këtë vit marrëveshje ushtarake edhe me Bjellorusinë. Më 29 janar të vitit 2017, ministri serb i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviç  tha se Bjellorusia ishte e gatshme t’i dhuronte Beogradit tetë aeroplanë “MIG 29”, si dhe disa sisteme raketore të dizajnuara nga Rusia. Mediat serbe njoftuan në prill se avionët pritet të mbërrijnë këtë vit.

Ekspertët ushtarakë serbë besojnë se përmirësimi ushtarak është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të treguar popullsisë kryesisht pro-ruse se Serbia po thellon lidhjet me aleatin e saj të vjetër, Moskën. Vetëm pak muaj më parë, SHBA-ja ngriti dyshime të forta mbi një qendër humanitare ruse në qytetin jugor të Nishit, duke deklaruar se ajo shërben si bazë spiunazhi. Këtyre shqetësime ju bashkuan edhe disa qeveri perëndimore duke shprehur pakënaqësi të thella ndaj Beogradit zyrtar. Serbia këmbënguli nga ana tjetër se qendra është ndërtuar vetëm për të siguruar ndihma emergjente në rast fatkeqësie natyrore në rajon.

Viti 1999, NATO bombardon ish- Jugosllavinë 

Beogradi shpalli doktrinën e neutralitetit ushtarak në dhjetor të vitit 2007 dhe qeveria aktuale nuk ka sinjalizuar se mund ta ndryshojë këtë politikë zyrtare. Por sipas sondazheve, NATO nuk është aq i mirëpritur në Beograd sa Rusia, për shkak të sulmeve ajrore në vitin 1999, të cilat e detyruan Serbinë të tërhiqej nga Kosova. Sipas anketave të opinionit publik, pjesa e dërrmuese e qytetarëve nuk duan që Serbia të anëtarësohet në NATO.

Burimet: "Ballkan Insigh", "Tanjug", "NBC News"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë