Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin do të takohen në qytetin rus të Soçit të mërkurën, dy javë pas skandalit të spiunazhit që përfshinte një diplomat rus dhe një ish oficer ushtarak serb.
Skandali shpërtheu kur një video u shfaq në YouTube më 17 nëntor ku tregohej një diplomat rus, Georgiy Kleban, duke takuar një ushtarak serb në Beograd. Ata shkëmbyen çanta dhe në fund, ushtaraku serb duke numëruar një tufë me para, që i nxori nga çanta që mori.
Katër ditë më vonë, Vuçiç doli në një konferencë për shtyp duke thënë se agjencitë e inteligjencës serbe kishin mbledhur prova të gjera të një operacioni spiunazhi rus dhe se Kleban kishte u kishte dhënë ryshfete zyrtarëve të ushtrisë serbe edhe në tre raste të tjera.
Mediat në Beograd raportojnë se skandali i spiunazhit do të jetë tema kryesore e diskutimit midis Vuçic dhe Putin, por zyrtarët serbë janë përpjekur të ulin ndikimin e tij në marrëdhëniet me Moskën.
“Beogradi e konsideron skandalin e spiunit me Moskën si një temë të mbyllur,” tha ambasadori serb në Moskë, Mirosllav Lazanski, më 3 dhjetor. Lazanski këmbënguli që bashkëpunimi në sferat ekonomike, energjetike dhe ushtarake do të ishin bërthama e bisedimeve në Soçi.
Nga ana e tij, Vuçic ka thënë se temat e bisedimeve me Putinin do të jenë Kosova, çështjet rajonale por edhe situata politike në Europë dhe në botë, si dhe bashkëpunimi dypalësh pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Serbisë dhe Bashkimit Ekonomik Euroaziatik.
Mes vazhdimit të blerjeve të armëve serbe nga Rusia, ai gjithashtu tha se Beogradi dëshironte të blinte sistemin raketor S-400 rus, por “ishte shumë e shtrenjtë për [Serbinë]”.
Ndërkohë, katër helikopterë të rinj ushtarakë Mi-35M të blerë nga Rusia mbërritën në Serbi të hënën, më herët se data e pritshme e dorëzimit në vitin 2020.
Delegacioni serb që udhëton për në Rusi përfshin Ministrin e Infrastrukturës Zorana Mihajlovic, Ministrin e Mbrojtjes Aleksandar Vulin dhe Ministrin e Energjisë Aleksandar Antic.
Mediat serbe raportuan se përpara takimit, në qendër të Soçit ishte instaluar një tabelë elektronike që shkruante “Vëllezër Përgjithmonë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.