Analize

Serbia ‘blindohet’ gjer në dhëmbë me armë ruse, pavarësisht alarmit të Europës

Serbia ka sfiduar sërish NATO-n duke blerë automjete të blinduara ushtarake nga Rusia, pavarësisht alarmit të ngritur nga ekspertët europianë për fuqizimin e arsenalit ushtarak të Beogradit me armë ruse dhe kineze.

Të hënën Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka falënderuar Presidentin rus Vladimir Putin për "forcimin" e aftësisë luftarake të forcave të armatosura të vendit të tij.
Vuçiç inspektoi dërgimin e 10 mjeteve të blinduara ruse të mbërritura së fundmi në një bazë ushtarake të ushtrisë serbe në Nish.

Duke folur në këtë ceremoni, Ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, tha se Moska "gjithmonë do të jetë e gatshme për bashkëpunim ushtarak dhe teknik me Serbinë". Megjithatë, ekspertët janë të shqetësuar se bashkëpunimi ushtarak mes Moskës dhe Beogradit mund të ngrejë shqetësime për kërcënimin e paqes në Ballkan.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç

10 automjetet ushtarake ruse, të llojit “BRDM-2” i janë dorëzuar Serbisë, pavarësisht refuzimit të Rumanisë fqinje për të mos i lejuar ato të kalojnë përmes lumit Danub për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

"Gjëja më e rëndësishme për ne është që ne kemi arritur t'i transportojmë me sukses automjetet në Serbi," u tha Vuçiç gazetarëve. "Se në çfarë mënyrë mbërritën deri këtu, është puna jonë”, theksoi ai.

Edhe pse presidenti serb u mundua ta mbante të fshehtë, mediat europaine kanë zbuluar se automjetet e blinduara u transportuan për në Serbi nga aeroplanët rus javën e kaluar, duke përdorur hapësirën ajrore hungareze, pasi Budapesti ishte i vetmi që lejoi transportin e armëve ruse.

Dorëzimi i dhjetë automjeteve të blinduara ushtarake është pjesë e një marrëveshje të arritur nga Beogradi dhe Moska, sipas të cilës Serbia do të marrë 30 tanke T-72 të dorës së dytë dhe 30 automjete “BRDM-2”.

I pyetur nga gazetarët në Nish nëse është e vërtetë që Rumania, javën e kaluar, ka ndaluar transportimin e dërgesës ushtarake ruse në Serbi, Vuçiç konfirmoi se ato janë ndaluar përmes rrugës së Danubit.

Vuçiç nuk tregoi se si automjetet ruse iu dorëzuan Serbisë, por tha se kjo është bërë "në përputhje me ligjin ndërkombëtar".

"Nuk do të flisja për këtë. I kemi respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare dhe gjithçka është bërë në përputhje me marrëveshjen me Rusinë", tha presidenti duke theksuar se automjetet ruse ishin të nevojshme për ruajtjen e sovranitetit të Serbisë.

"Ato kanë ardhur me gjithë kundërshtimet e disave. Automjetet na duhen për të ruajtur sovranitetin… Nuk kemi plane për pushtim, këto na duhen vetëm për të mbrojtur vendin tonë", tha Vuçiç.

Ai njoftoi se deri në fund të vitit në Serbi do të mbërrijnë edhe katër helikopterë luftarakë Mi-35, tre helikopterë transporti Mi-17, si dhe tanke të tjera.

Marrjen e këtyre automjeteve duket se erdhi si një demonstrim i përpjekjeve të autoriteteve serbe për fuqizimin e aftësive ushtarake të Beogradit.

Në njërën anë, Presidenti Vuçiç e ka cilësuat anëtarësimin në BE si përparësi të politikës së jashtme të Serbisë , por nga ana tjetër ka marrë dhjetëra avionët luftarakë rusë, helikopterët ushtarakë dhe tanke të prodhuara nga Rusia. Disa prej tyre janë blerë, të tjerët janë dhurata nga Moska.

Në një paradë ushtarake të mbajtur në Beograd me 10 maj, në të cilën morën pjesë rreth 4,000 ushtarë, Serbia zbuloi për herë të parë 400 tanke dhe automjete dhe 40 avionë ushtarakë. Ky ishte në thelb një demonstrim i qartë i fuqisë ushtarake të Beogradit, ndërkohë që presidenti serb ka deklaruar vazhdimisht duhet të mbrojë integritetin territorial të Serbisë. Por përse po po armatoset Serbia me armë ruse?



Ekspertët ngrenë alarmin se rritja e fuqisë ushtarake të forcave serbe mund çojë drejt një garë të rrezikshme armatimesh në rajon. Ambiciet e Serbisë për të ruajtur neutralitetin, duke modernizuar forcat e saj të armatosura dhe duke rritur importet e armëve, mund të riformësojnë qëndrimin e Serbisë, jo vetëm në rajon, por edhe në një farë mase përballë Perëndimit dhe Lindja.

Industria serbe e mbrojtjes po rritet dhe po modernizohet dita-ditës, ndërkohë që Beogradi ndërton muskujt e tij ushtarak falë bashkëpunim me Rusinë.

Mediat serbe flasin edhe për blerjet e mbrojtjes ajrore nga Rusia, siç është sistemi i famshëm S-300, i projektuar për të siguruar më mirë hapësirën ajrore serbe dhe për të kufizuar kërcënimet e mundshme. Këto blerje ushtarake mbështeten fuqimisht nga politikanët më nacionalistë anti-perëndimorë, të cilët duan të “shndërrojnë” Serbinë në super-fuqinë ushtarake të Ballkanit.
Serbia po thith gjithashtu edhe investimet ushtarake kineze, që mund t’i ofrojmë jo vetëm përparimet teknologjike, por gjithashtu edhe një mundësi për të eksportuar në tregun e madh kinez. Ajo ka rritur po ashtu edhe bashkëpunimin ushtarak me vendet arabe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë