Futboll

Sepp Blatter del kundër SHBA: Jo botëror në tre vende të ndryshme

Ish-Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter kundërshton propozimin e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë për të zhvilluar të trija së bashku kupën e botës në vitin 2026.

Ai thotë se mbështet zhvillimin e një botërori vetëm në një vend. Ndërsa interesimin e FIFA-s për të pasur më shumë se një vend organizator e sheh si lëvizje të paralajmëruar për zgjerimin e botërorit.

“Kërkon të bëje finalet e Kupës së Botës me 48 skuadra”, thotë ai.

Sa i takon kandidaturës së përbashkët të SHBA, Kanadasë dhe Meksikës e sheh të çuditshme.

“Janë bërë tre vende të mëdha, që e kanë provuar në të shkuarën që mund ta organizojnë një botëror të vetme. Pse janë bërë bashkë?”, thotë Blatter për BBC.

Kupa e Botës është zhvilluar në më shumë se një vend vetëm në një rast dhe President në atë kohë i FIFA-s ishte pikërisht Sepp Blatter. Bëhet fjalë për botërorin 2002 të Koresë së Jugut dhe Japonisë. Ai thotë se në të gjitha rastet e tjera i ka refuzuar kandidaturat e përbashkëta të dy vendeve, përfshirë këtu atë të Libisë dhe Tunizisë e Spanjës me Portugalinë për të zhvilluar botërorin e 2010 dhe të Belgjikës e Holandës për të organizuar botërorin 2018.

“E bëmë për shkak të një vendimi të FIFA-s për të mos organizuar më botërorë në dy vende të ndryshme”, sqaron ai.

Sepp Blatterit iu ndalua në vitin 2015 përfshirja në botën e futbollit pas një skandali korrupsioni që përfshiu FIFA-n dhe UEFA-n. Ai ndëshkua fillimisht me 8 vite përjashtim, që më vonë u reduktuan në 6 për kryerjen e një pagese të dyshimtë prej 1.3 milionë dollarësh në llogaritë e Michel Platini, që në atë kohë mbante postin e Presidentit të UEFA-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë