Dosje

‘Sekreti’ i vdekjes së një tregtari armësh. Gjurmët shqiptare në jetën e polakut Andrzej Izdebski dhe miqtë nga Tirana

Miqtë shqiptarë të Andrzej Izdebskit, tregtari i famshëm i armëve, e shoqëruan simbolikisht edhe në udhëtimin e tij të fundit në një nga varrezat e Lublinit në Poloni. Varri ku ishte futur hiri i trupit të biznesmenit, tregon shenja se nuk e kishin harruar. Kush mund të jenë ata dhe pse pikërisht Shqipëria u zgjodh si vend azili nga 71-vjeçari, i cili ishte shpallur në kërkim nga Interpoli?

Gazeta Si - I vënë nën hetim në Poloni për shpërdorim detyre, Andrzej Izdebski zgjodhi Tiranën për t’u fshehur dhe ndoshta duke vijuar aktivitetin e tij të tregtisë së armëve.

Ai kishte vendosur të jetonte në një banesë me qira pranë zonës së njohur te “Pallatet Agimi” në qendër të kryeqytetit.

LEXO EDHE:
‘Mbreti’ polak i armëve vdes në mënyrë misterioze në Tiranë. Eksperti i Inteligjencës: Ngjarje e dyshimitë!

Të paktën deri në datën 20 qershor, kur një atak kardiak dyshohet se i mori jetën, duke lënë shumë pikëpyetje nga pas. Jo vetëm për vdekjen, por edhe për biznesin e tij të armëve, të shtrirë në Europë. Prej ditësh, mediat polake raportojnë se vdekja e “mbretit” të armëve në Shqipëri duket të jetë misterioze.

 
Hiri i trupit të Andrzej Izdebskit, i cili u fut në një varr familjar në një nga varrezat e Lublinit, Poloni 

Policia e Shtetit shqiptar, rreth një muaj më parë u mjaftua me një komunikatë për shtyp, ku njoftonte se shtetasi polak A.I., kishte ndërruar jetë si pasojë e një ataku në zemër.

As policia shqiptare dhe as Interpoli nuk mundën ta gjenin, pavarësisht se ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar. Tre ditë para vdekjes, 71-vjeçari foli në telefon me gruan e tij në Poloni. Ai i është ankuar se nuk ndihej mirë.

Misteri për rrethanat e vdekjes shtohet edhe më shumë, pasi mediat polake shkruajnë se hiri i trupit të tij është dërguar në Poloni, pasi dyshohet se është djegur fillimisht në Tiranë.

Mbi varrin e Izdebskit ka një kurorë me lule nga miqtë e tij nga Tirana

Miqtë nga Tirana ishin deri në fund me të!

Por me sa duket, lidhja e tregtarit të famshëm polak të armëve, ka qenë e fortë në Shqipëri. Ceremonia mortore në Lublin, është organizuar në mënyrë private, sa dhe punonjësit e varrezave nuk e dinin se për kë bëhej fjalë.

Në fakt, në varrin e Izdebskit, lulet e vendosura mbi beton janë tharë, ndërsa qirinjtë vijojnë të digjen.

Megjithatë, një gjurmë ndërkombëtare të çon tek ai, sepse miqtë shqiptarë, i kanë dhënë lamtumirën e fundit Andrzejit.  

Nga poshtë kurorave të thara, shfaqen mbishkrime përkujtimore, me të cilat ai është përcjellë për në banesën e fundit nga familjarët dhe miqtë. Por njëra prej tyre tërheq vëmendjen. Një mbishkrim në anglisht, është lamtumira e fundit e miqve nga Tirana.

“From your loving friends in Tirana”: “Nga miqtë e tu të dashur nga Tirana”, është mesazhi i shkurtër.

Por kush janë miqtë e fshehtë nga Shqipëria? Zyrtarisht askush nuk i ka parë në varreza, madje as punonjësit e shërbimit që punojnë atje.

Ceremonia mortore ka qenë e qetë dhe padyshim që familjarëve nuk iu interesonte publiciteti, duke parë se bëhej fjalë për një personazh publik në Poloni.

Mirëpo, lidhjet me Shqipërinë pa habisin ekspertët, duke parë biznesin që kishte Andrzej dhe angazhimin e tij të dikurshëm në shërbimet sekrete polake.

“Nuk them që ka qenë bandit, po them se profesioni dhe interesat e tij duhet të jenë kryqëzuar me nëntokën kriminale, mafien. Dhe nëse ai u zhvendos në Shqipëri, është një tregues shumë i fortë se ai ishte i lidhur me mafien ballkanike. Mendoj se i kanë dhënë edhe njëfarë mbrojtjeje”, - thotë Robert Cheda, ish-oficer i Agjencisë së Inteligjencës së Jashtme i pyetur nga “Fakt”.

Bashkëshortja e Andrzej Izdebskit, Ewa, e cila ngjit shkallët e shtpisë në Poloni

Biseda e fundit me bashkëshorten

Ewa, 69 vjeçe, është e pikëlluar nga vdekja e bashkëshortit të saj. Shtëpia e çiftit ndodhet në pjesën e vjetër rezidenciale të një qyteti të madh në Poloninë lindore.

Këtu jetojnë kryesisht të moshuar, por ata dinë pak për fqinjin Andrzej dhe familjen e tij.

E veja e ish-tregtarit të armëve, heziton të flasë, por gjithsesi në fund pranon: “Herën e fundit që kam parë burrin tim, ka qenë 1 vit e gjysmë më parë. Më pas kemi pasur kontakt vetëm në telefon”.

Gruaja shton se ka folur me bashkëshortin të shtunën e 17 qershorit, tre ditë para se ai të ndërronte jetë. Ajo pranon se policinë e Tiranës e njoftoi një shok i bashkëshortit, pasi ky i fundit nuk përgjigjej në telefon.

“Pas shumë përpjekjesh të pasuksesshme njoftuam policinë lokale. Më pas doli se ai kishte vdekur”, - shton Ewa. Por a ishte i sëmurë Izdebksi dhe ankohej për diçka në bisedat telefonike?

“Nuk ishte i sëmurë, kohët e fundit u ankua vetëm se kishte dhimbje në zemër, - thotë gruaja e tij, e cila nuk dëshiron të flasë shumë.

Vendi i varrimit të tij është i vështirë për t’u gjetur në varrezat publike të Lublinit.

Vetëm nëse punonjësve u thuhet se ku prehet trupi i një “burri nga Shqipëria”, ata mund të të orientojnë.

Ai u varros fshehurazi nga fqinjët e tij. “Ne nuk dinim asgjë për varrimin e tij, sepse në rrugë nuk ishte vendosur asnjë njoftim”, - thonë ata.

Funerali i zhvilluar në korrik ishte i qetë, modest dhe askush nuk e dinte për të, as fqinjët
 

Ai jetoi në hije për vite me radhë

Veprimtaria e Andrzej qëndroi në hije për mbi 20 vjet. Mbetjet e informacionit dhe gjurmët e lëna nga kompanitë e tij, tregonin se ai ishte një tregtar armësh, biznes me të cilin u bë i njohur.

Por më i famshëm u bë vetëm në vitin 2020, kur Ministria e Shëndetësisë vendosi që kompania e tij, “E&K” t'i siguronte Polonisë respiratorë.

Kontrata u nënshkrua, ministria pagoi miliona ‘zloty’ (leku polak) paraprakisht, por furnizuesi u zhduk. Vetëm 200 nga 1241 respiratorë të porositur kanë mbërritur në Poloni dhe humbjet e shtetit llogariten në miliona “zloty”.

Një sipërmarrës që fshihej në Shqipëri, sipas ekspertëve të inteligjencës, është një vend i mrekullueshëm për të kryer interesa të ndryshme, madje edhe të errëta. Dhe i pa shqetësuar nga askush, ai jetoi deri më 20 qershor të këtij viti.

 
Varri në Poloni i tregtarit të armëve, Andrzej Izdebskit

Lidhjet e dyshimta

Përderisa drejtonte një biznes të fuqishëm si ai i tregtisë së armëve, Andrzej shpesh mund të kishte kontakte me grupet mafioze, si dhe me shërbimet sekrete polake dhe të huaja. Megjithatë, ai vetë hezitoi të fliste për atë që po bënte.

Ai nënshkroi një kontratë për furnizimin me respiratorë në spitalet polake, kompania e tij mori dhjetëra miliona “zloty” paradhënie, por pajisjet nuk u dorëzuan kurrë në klinika. Dhe pjesa më e madhe e parave nuk u kthyen në llogarinë e ministrisë.

Kur Izdebski filloi të ndiqej nga shërbimet, kontrolli i policisë me pjesëmarrjen e Interpolit, duket se rezultoi i kotë.

Andrzej kishte një vit e gjysmë që ndodhej jashtë vendit, përfshirë këtu edhe qëndrimin në Tiranë.

Pyetja që lind është, a e kanë ditur shërbimet polake të inteligjencës këtë gjë? Dhe nëse po, a kanë kontaktuar me shërbimet homologe të Shqipërisë?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë