Ka ndodhur

Pas snajperit, ish-policit i zbulohen armë, thika dhe jelekë të RENEA-s në shtëpinë me qira

Gazeta Si - Të tjera armë zjarri dhe municione i janë gjetur në banesën e marrë me qira ish-policit të RENEA-s Remal Rada.

Ai u kap një ditë më parë me snajper në makinë, ndërsa udhëtonte së bashku me shokun e tij, Elton Hithi. Ata u arrestuan në kuadër të operacionit “Double strike”, pas informacioneve të marra në rrugë operative.

Në vijim të këtij operacioni, gjatë kontrollit në banesë në zonën e quajtur “Selitë e Vjetër”, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, 13 pajisje të ndryshme fiksuese dhe shtrënguese si ato të armëve, municion luftarak, këllëf pistolete, 2 radio Policie, një aparaturë valësh, dy elektrikë dore, njëri prej tyre me mbishkrimin “Policia”, 4 thika, targa shqiptare dhe të huaja, jelek multifunksional me mbishkrimin “RENEA”, shënjestër optike, 15 aparate celulare dhe sende të tjera.

Ish-polici e kishte kthyer shtëpinë e marrë me qira në një depo të mirëfilltë armësh dhe municioni. Rada, ka shërbyer më herët në radhët e Policisë së Shtetit, në repartin RENEA. Ai lëvizte me një automjet luksoz me targa të huaja (angleze).

Ish-efektivi kishte 2-3 muaj që ishte larguar nga radhët e policisë. Ai u ndalua nga shërbimet e policisë rrugore fillimisht dhe iu gjet snajper. Dyshohet se Rada dhe Hithi do të kryenin vrasje dhe armët e gjetura në shtëpi i mbanin për t’i përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë