Politike

Sekretari i Ministrisë së Jashtme greke në Shqipëri, takon në burg Fredi Belerin

Gazeta Si - Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Greke, Ambasador Throharis Lalakos takoi në qeli kreun e Omonias së Himarës dhe njëkohësisht edhe fitues i zgjedhjeve në këtë bashki, Fredi Belerin.

Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme Greke, diplomati i lartë grek vizitoi Belerin në ambientet e paraburgimit në Tiranë, i shoqëruar edhe nga ambasadorja greke në Shqipëri, Kostandina Kamici.

Lajmi u publikua nga televizioni shtetëror grek ERT. Sipas informacioneve, takimi vjen pas udhëzimeve të ministrit grek Nikos Dendias.

Qëllimi i kësaj vizite është informimi mbi gjendjen shëndetësore të Belerit, kushtet e ndalimit të tij, ndërsa në konsultim me Ambasadën e Greqisë në Shqipëri do të shqyrtohen edhe veprimet e radhës që do të merren nga Athina zyrtare lidhur me arrestimin.

Takimi ka zgjatur më shumë se 45 minuta, ndërsa pas daljes nga paraburgimi, ambasadorja nuk ka bërë asnjë koment për mediat.

Nga ana tjetër, mediat greke shkruajnë se gjendja shëndetësore e Belerit nuk është e mirë. Sipas tyre, Beleri ka pasur temperaturë dhe ndërkohë vuan edhe nga diabeti.

Ai ka dërguar tashmë 2 kërkesa në prokurori që të dërgohet në spitalin e burgut, por ende nuk ka një përgjigje.

Përveç Belerit, Lalakos ka takuar edhe Pandeli Kokaveshin, i cili u arrestua bashkë me kryetarin e zgjedhur të Himarës për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Ndërkohë, me urdhër të ministrit të jashtëm grek, Nikos Dendias, ambasadorja greke në Tiranë ka marrë udhëzime për t'i siguruar familjes së tij mbrojtjen e nevojshme.

Në dispoizicion të familjes janë vendosur edhe disa avokatë, të cilët do të vazhdojnë betejat e tij ligjore me drejtësinë shqiptare.

Beleri u vu në pranga dy ditë ditë para zgjedhjeve lokale me urdhër të Prokurorisë së Vlorës për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Në pranga u vu edhe Pandeli Kokoneshi, i akuzuar për të njëjtën vepër penale. Policia thotë se pas arrestimit të tyre ka sekuestruar një shumë parash prej 40 mijë lekësh të rinj.

Arrestimi i Fredi Belerit, përfaqësues i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, që tashmë rezulton fituesi, solli reagime të ashpra në politikën shqiptare dhe në qeverinë greke.

Kjo e fundit paralajmëroi një notë proteste për Shqipërinë, ndërsa bëri thirrje për lirimin e Belerit. Nga ana tjetër, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka i bëri thirrje Greqisë të përmbahet dhe të presë faktet dhe vendimin e drejtësisë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë