Gazeta Si - Gjyqi për iranianin e arrestuar për terrorizëm në Shqipëri dy vjet më parë, Bijan Pooladrag pritet të vijojë me dyer të mbyllura.
SPAK shtyu për në datë 12 tetor shpalljen e pretencës, ku kërkoi që për shkak të sekretit hetimor mediat të mos jenë të pranishme për të mosdekonspiruar çështjen.
Prokurori Vladimir Mara, tha se çështja është sensitive, duke qenë se po hetohen edhe persona të tjerë paralelisht dhe faktet nuk janë bërë publike me emra.
Pooladrag dyshohet se mblidhte informacion ndaj anëtarëve të MEK-ut në Manzë, të cilët janë kundër regjimit në Teheran, kjo e faktuar sipas organit të akuzës nga materiale e foto që i janë gjetur në celular.
Poolagrad, i arrestuar në vitin 2020, akuzohet për një sërë veprash penale, si organizatë terroriste, sulme ndaj sistemit kompjuterik, ndërhyrje në të dhëna kompjuterike të paautorizuara etj.
Ai dyshohet se ka qenë pjesë e anëtarëve të muxhahedinëve dhe ka qenë banor i kampit në Manëz.
48-vjeçari vepronte si i infiltruar mes muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri dhe ndërkohë planifikonte sulmin terrorist.
Fillimisht, i dyshuari u hetua nga Antiterrori dhe Prokuroria e Tiranës dhe mori masën e arrestit me burg. Por më pas, SPAK ngriti dhe akuzën e organizatës terroriste, duke i çuar në pesë akuzat ndaj Poladrag.
Nëpërmjet veprimeve të ndryshme, iraniani kryente komunikime nëpërmjet një aplikacioni mesazhesh në rrjet, të cilin e përdorte duke e lidhur me numrat e telefonave celularë të shtetasve të tjerë.
Ai merrte kodin e konfirmimit të aplikacionit dhe më pas e transferonte atë në kompjuterin apo celularin e tij për të kryer përgjime të caktuara.
Nuk është hera e parë që në Shqipëri ka pasur tentativa për të intimiduar apo sulmuar muxhahedinët, ose opozitën iraniane në mërgim.
Në 23 tetor 2019, institucionet shqiptare të drejtësisë, goditën një rrjet terrorist të drejtuar nga regjimi iranian.
Synimi i këtij rrjeti ishte kryerja e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane (MEK) në Tiranë në ditën e festës së Sulltan Novruzit.
Plani ishte parashikuar të realizohej marsin e vitit 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK).
Thuajse pas një viti, në korrik 2020, Shqipëria dëboi si person “non grata” shtetasin italian, por me origjinë iraniane, Dabiel Kassrae.
Ndërsa në korrik 2022, SPAK nisi hetimet ndaj një grupi prej 11 ish-anëtarëve të MEK-ut për ngritjen e një rrjeti agjenturor në Shqipëri.
Policia kreu kontrolle në banesat e tyre, por pa proceduar me ndonjë masë sigurie.
Ndërsa në shtator, kryeministri Rama njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin pas dyshimeve se kishte kryer sulmet kibernetike ndaj portaleve digjitale qeveritare shqiptare në 15 korrik dhe 9 shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.