Politike

Sulmi kibernetik, Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Ambasada, 24 orë afat për t’u larguar

Gazeta Si - Shqipëria ka vendosur të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, ndërsa ambasada dhe stafi kanë 24 orë afat për t'u larguar nga vendi.

Qeveria ka ndërmarrë vendimin ekstrem pas sulmit ndaj faqeve të shërbimeve publike online në 17 korrik, ku dyshohet se fshihet Irani.

Në një dalje urgjente për mediat, kryeministri Edi Rama, tha se ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit.

Shefi i qeverisë pohoi se i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përfshirë edhe atë të sigurisë.

Rama tha se hetimi çoi në provra të pakundërshtueshme, se Republika Islamike e Iranit, angazhoi katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë, ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar.

“Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë", - deklaroi kryeministri.

Vendimi erdhi pasi u arrit të zbulohej se sulmi i 15 korrikut në e-Albania, nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror.

“Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”, - vijoi Rama.

Kryeministri po ashtu sqaroi se ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe personelin e sigurisë.

Sipas Ramës, "kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmerine e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend".

Duke vënë në dukje dështimin e këtij sulmi masiv, falë rezistencës së sistemeve dhe ndihmës së grupeve speciale që iu bashkuan Shqipërisë në këtë luftë, Rama paralajmëroi se ky, "nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, po thjesht prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit digjital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike".

Shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht në 17 korrik për shkak të një sulmi kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.

Pas sulmit kibernetik, qeveria shqiptare garantoi qytetarët shqiptarë se reagimi ka qenë i shpejtë dhe të gjitha faqet dolën të paprekura dhe janë të sigurta.

Metodat mbi të cilat sulmi është kryer ishte i ngjashëm me një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë