Politike

Seanca / Satira e Gjekmarkaj: Doktori u lëshonte një bërrrr dhe socialistët ikën në dritare e tuba, Olta kishte gojë, dreqja…

Agron Gjekmarkaj i shkroi këto radhë në shkallët e parlamentit teksa kolegët e tij të PD-së përplaseshin me Gardën për të hyrë në sallë

NISJA

Pesha e madhe e ngjarjeve po e shndërron kroniken në dëshmitaren kryesore të kësaj beteje epike në Parlamentin e Shqipërisë. Dje të gjithë luftuam heroikisht. U nisëm ashtu jakë e jakë, por me vendosmëri, të heshtur por jo të tulatur. Kryezëvendës Lideri Muli u shfaq hijerëndë, por i dashur. Lideri në perspektivë Gazi  dukej i heshtur por këmbëngulës. Albana si vetë urtësia solli kumtin “passeremos”.

OBORRI

U grumbulluam si bilbilenjtë nën rrape. Dy a tri këngë trimërie kënduam. Xhela e filloi me Hajredin Pashën. Morëm kah dera por qielli u err, toka po dridhej. Hyrja ishte e zënë nga dhjetëra gardistë të lidhë me besa besë. Kryezëvendës Lideri u foli si Çerçizi turqërisë “mylazim hiq taborrë lërini djemtë e mi të shkojnë, do të skuq të bëj me bojë”. Ata hiç meit. Qameti u ndez.

U afrova unë, u luta, “amani more çuna, jam Zëvendës Kryetari i Kuvendit vetë Babua i madh më ka dhënë iradenë, që mos qofsha, lemëni të hy. Sikter more edepsez mu hakërrye njëri syresh, me kë bën shakara pa kripë ti, gjete ditën, Kuvendi ka vetëm një Zëvendës Kryetare dhe ajo është Ermua jonë punëtore e dalluar e Partisë”.

Ajo ka hyrë, serbes serbes, ndaj ti vër thembrat nga majet e lipsu, hajt lanet”. U binda ç’të bëja , hapa kompjuterin në shkallë  që të fshihja ngashërimin që më zu. Ah të ishte ai uruar Salianj psherëtiva.

KULMI

Po djali i Peqinit pikërisht ai i ndjeshmi,  poetiku , esteti e ashiku Dash Sula që zeherit i thotë sheqer, vetë mjalta domethënë ai që Elisën e quan më të ëmblën e politikanëve u shndërrua në rrufe zhgjetare. Fjala e tij që bubullimë, gjuha e tij mitroloz, trupi i tij u bë topuz. Sikur Zoti vetë e zbriti mbi koka gardistësh si dëshmi që dita e gjykimit erdhi.

Toga-toga po vinin dhe deputet socialistë ashtu të zalisur e kokëulur. Doktori u lëshonte një bërrrr bërrr dhe ata iknin me vrap nëpër korije.  Situata po e bëhej dilemë mes jetës e vdekjes.

Veziri i madh Tao ndonëse shumë i motivuar për të bërë zap opozitën pas fjalimit të shoqata e grave një ditë me parë ku u foli nënave, si motrave, e shoqeni, atje brenda po humbiste durimin, skenari po dështonte, salla ishte ënde bosh. Oficeret e gardës morën urdhër që të fusnin nga dyert anësore, dritaret, tubat dhe vrimat deputetët socialistë. Diku u gjet një e çarë dhe si hollak u fut barkas Bujari i Lushnjës. Sa kaloi nderoi grusht.

Niko Nikoqirin nxitoi drejt një vrime. Nga brenda e tërhiqte Çuçi nga jashtë e shtynte Çyrbja. Po kishte ngecur dhe rënkonte. Po tërhiq e tërhiq këpucët e pantallonat i mbeten jashtë, po shyqyr një nga zaptiet brenda i dha të vetat.

Dilua  dhe Ulsiu si pesha të lehta ja futen vrapit dhe hynë nga dritarja e qenefit të Akademisë. Ulsi nga fërkimi humbi mjekrrën. Ogerta si sorkalle gjet një derë aneksi nga pas dhe ja bëri fora. Toni Gogun e tërhoqën me dy litarë.

Njëri u këput. Me shpirt të ngrirë shihnin Majkon e djersitur e Mimi di Puçinin të skuqur zori që tërhiqnin cimen e fundit se ai shejtan është i rëndë. Kur u ngjit bëri shenjën e kryqit. Ikonomin me tetë të tillë.

Por ne e mblodhëm veten shpejt dhe filluam të vëmë roje qoshe me qoshë. Ina Zhupa dhe Elda Hoti u kthyen në mur ku thyenin kokën të gjithë  armiqtë. Elda u thoshte “nuk jam Hot si Lul Basha po si Çun Mula dhe për ju është zanë rruga”.

Një debat tronditës u zhvillua mes saj dhe Erjon Braçes.

“He mi i thoshte Eri me gjen mua të vogël dhe s’më lë të hyj nga biruca ” Ina i kthehej ”të erdha aty se sa rripi im i mesit je”.

Eri iku më vrap dhe u fsheh pas një ferre derisa dy gardistë e futen në një domixhan kinse se kanë ujë në të dhe e gjuajtën matanë nga një penxhere.

Ngadalë si vesa, erdhi Etilda. Na këqyri me pafajësi e moskuptim siç ajo di dhe pastaj na u bë def nga sytë. Veç kur më vonë e gjetëm në sallë me një maskë për t’u mbrojtur nga prapësitë e kësaj bote. E mbështjellë me mister kishte hyrë brenda.

Në anën tjetër dy kalorësit e bashkimit Edi Paloka dhe Lideri në perspektive Gazi po bënin një tjetër qëndrese që drodhi të madh e të vogël. Ata u përleshën si luanë me Klodin të cilën po e ruajnë për t’i ngjyrosur flokët dhe Oltën. Kjo e fundit kishte gojë dreqja. Po edhe Lideri në perspektivë vërshim Lanë e ka qerratai.  Ndërsa tek dera luhej nderi i demokracisë prisja të vinte Jorushi i Tabakëve aq e dashur e mbështjelle me melankolitë e saj të qashtra. Nëse historia do bëhej me ndoshta e sikur, do bëja ç’mos që protesta të mos kishte ndodhur në mënyre që Jorushi të fliste se dritë e diturisë përpara të na shpjerë.

Ndonëse ne po triumfonim në të gjitha frontet ndihesha i pa motivuar. Pader Salianji ai njeri i adeteve të shenjta, i lutjes dhe shpatës, bash ai që mirësinë e ka kauzë të jetës gjendej bashkë me Bledion Nallbatnë në Washington në takime të mëdha.

Pasi socialistët kush barkas, kush pupthi, kush nga dritarja e kush nga vrimat e mbushen sallën, na u hap dera ku si dhen do hynim në katua dhe ne të Opozitës.

 SALLA

Trimi i Lushnjës Saimir Koreshi “vox populi vox dei”, bëri të padëgjuaren, u rras në skaner veshur e mbathur dhe analizat i dolën qelibar. Hiqe gozhupin i thërrisnin, nuk dua ore se kam ftomë gjegjej ai, kur tak si levend doli nga tjetra anë.

Pas shumë trysnie ja dolëm. U gjindëm brenda, kolegët kishin marrë trajtën e fytyrave “të kungullta e të egëra”. Tezja dukej si e balsamosur në kavanozin e frikës. Anila Denaj ëndërronte sikur të isha në stane sot, kuvendim me barinjtë. Pashë Belen. Ndjeva mall.

Heroizmi po hynte në një faze të re, përsëri Saimir Korreshi dhe Mond Spaho e “banë deken si me le” paf e puf, puf e paf, tym dynjaja.

Kosta ishte çartalluar, mendonte  në djall vaftë intelektualizma, si e si me kallëpe dinamiti të shkonte në Gjykatë Kushtetuese e ku “tjeglla, qepra krahë e krena, të kërcenin mbi beden”. Ata i kanë nxirë faqen Babos me Xhiorxhian e këtë se duronte dot. Pashë kalimthi që Jona e mbante nga xhaketa dhe Dori, këshilltari im trim i rrinte nga pas. Një shyqyr me doli nga shpirti. Arben Pëllumbi e shifte dhe i dorëzuar tha me gjasë nuk do e arrij kurrë ritmin e bëmave të Kostaqit. U bë gri si palltoja. Bora lotonte. Laerti ju kthye përsëri punës së tij të nderuar të mbledhësit të lotëve. Vetëm koka e Margeritit dilte mbi shtëllungat e tymit.

BILANCI

Pasi dolëm triumfatorë  trupa e Opozitës po bënte bilancin. Kryezëvendës Lideri pasi shprehu konsideratën e tij të lartë për bëmat, përqafoi protagonistët e ndau veçmas Oerd Bylykbashin për reflektimin dhe guximin e dëftuar. Befas tha, “ka edhe nga ata që u treguan pacifistë, të ndërdyzuar, dhe jo besimplotë, ata të bëjnë një hap përpara”.  Pamë njëri tjetrin në sy dhe me Tritanin dolëm para rreshtit. Ju dhimbsëm gurit e drunit ashtu kokëulur.

Fati e desh që Lideri në perspektive të ndërhynte. Ai tha “ nën shembullin e më të mirëve edhe këta do të bëhen luftëtarë të mëdhenj të lirisë, Mondi të marrë në patronazh Tritanin, ndërsa Sajmja, Agronin, zonja Edhit të monitorojë përparimin”. Luan Baçi duartrokiti dhe me kaq u mbyll kjo epope.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë