Politike

’Opozita e të drejtave të mohuara në aksion’, Berisha: Nisim protestat. Padi penale ndaj SPAK, amnistoi Veliajn       

Sali Berisha tha të premten se protesta e thirrur prej tij të hënën kur do të diskutohet kërkesa e SPAK për heqjen e mandatit të deputetit nuk është për të. “Absolutisht kjo është një protestë vetëm për Shqipërinë. Kemi një dallim shumë të madh me disa arsyetime të sotme. Për ata të cilët njohin totalitarizmin dhe diktaturat, kjo që ndodh në Shqipëri është në mënyrë absolute vendosje e diktaturës mobokraci, diktaturës së bandave...

Diktatura e bandave bën që kundërshtari politik, në kundërshtim me çdo ligj dhe precedentin 32-vjeçar, të sanksionohet nga gjykata për të mos dalë jashtë vendit, pa marrë miratimin e parlamentit. Në një kohë kur çdo deputeti, për të cilin gjykata ka kërkuar bllokimin e pasaportës, organet pa përjashtim, edhe vetë SKAP-i, kur kanë qenë socialistë, kanë kërkuar miratimin e parlamentit.

Pra, jemi  në kushtet kur narkodiktatori don të marrë nëpërmjet mënyrave më antiligjore edhe pushtetet që nuk i kontrollon akoma.

Kështu që protestat kanë qenë program i padiskutueshëm.

Ju e lexuat rezolutën ose ndoshta dëgjuat fjalën time, alfa dhe omega e fjalës sime dhe rezolutës janë mosbindja civile dhe protestat”, tha ai.

Ndërkohë është publikuar edhe slogani i protestës të së hënës: ’Opozita e të drejtave të mohuara në aksion” që do të fillojë të hënën në orën 11.30 gjysme ore para së të mblidhet Këshilli i Mandateve tek kryesia.

“Do të ketë një zinxhir protestash.

Tani ne fillojmë stinën e protestave.

Pa diskutim që një projekt ka ekzistuar se asgjë nuk bëhet pa projekt.

Po projekti modifikohet dhe fillohet me protesta madje edhe sporadike ku të lindin, me qëllimin më madhor që të shkohet drejt organizimeve më të fuqishme në vazhdim...

...Unë besoj se çdo njeri që kundërshton Edi Ramën është me këto protesta”, tha Berisha.

Në konferencën për shtyp ku ishte i fokusuar tek inceneratori i Tiranës duke fajësuar në gjithë këtë proces Erion Veliajn, Berisha tha gjithashtu:

“Ne do fillojmë të ngremë paditë penale ndaj skapistëve

Personalisht çdo bashkëpunëtori i kam kërkuar që dokumentet t’i dorëzojë në SKAP.

Por kjo taktikë do rishqyrtohet sepse konstatojmë se ato janë fshehur dhe përdoren për manipulim apo informohet i hetuari.

Kështu që duke mos thënë se do ndërpritet plotësisht ky proces, do ketë modifikimet e veta.

Sepse ne do fillojmë, që ta dini ju, të ngremë paditë penale ndaj skapistëve.

Amnistia e Erion Veliaj është krimi më i shëmtuar që është kryer dhe ata që kanë amnistuar Erion Veliajn do paditen dhe do kenë një padi penale të përjetshme gjersa të gjykohen.

Nuk mund të ndodhë ajo. Të bësh ndaj këtij populli në këtë mënyrë, do të thotë se ke marrë nja 1 milionë, nja 2 milionë, dhe nuk pyet për asgjë tjetër”.    

Më tej ai shtoi: “Erion Veliaj, i cili kërkon tani të strehohet tani te kryehajduti i aferës së inceneratorëve, ka përgjegjësi të plotë penale sepse ai ka firmosur kontratën dhe aneksin e saj, në të cilën siç e dini, Bashkia e Tiranës merr të gjitha përgjegjësitë. Edhe asistencë teknike, edhe shpronësimet dhe të tjera me radhë.

Ndërkohë, siç denoncuam një ditë më parë, i ka dhënë kompanisë 600 mijë metër katrorë pa asnjë proces shpronësimi. I ka nxjerrë nga xhepi dhe ia ka dhënë kompanisë.

Belinda Balluku ka emëruar me një shkresë të veçantë, dy vite më parë, drejtuesin e njësisë së monitorimit të punimeve dhe funksionimit të sipërmarrjes së Sharrës.

Që nga dita e emërimit nga zonja Balluku të zotërisë Henrik Hysenbegasi, asnjë punonjës i bashkisë, asnjë drejtor i Erion Veliajt nuk është paraqitur në njësinë e monitorimit të projektit.

Pra, ka sabotuar me ndërgjegje të plotë, me vetëdije të plotë, observimin, detyrimin që kishte, për të monitoruar projektin.

Dhe sabotimi ka vetëm një shkak: vjedhjen e të ardhurave që mblidheshin nga taksat e qytetarëve të Tiranës dhe po kaq të dherave që detyronin bizneset t’i depozitonin kundrejt tarifave skandaloze”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë