Ne rrjet

Së shpejti ballkanasit nuk do të paguajnë “roaming”!

Të gjithë qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në vendet e rajonit të Ballkanit së shpejti do të mund të komunikojnë nga telefonat celularë pa tarifat e Roaming.

Pas një takimi në Bruksel, ekspertët dhe përfaqësuesit e ekonomive nga Ballkani Perëndimor arritën në përfundimin se kjo iniciativë po bëhej gjithnjë e më e prekshme. Në samitin e organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), ekspertët diskutuan politikën e Roaming në këtë rajon dhe përfitimet nga heqja e saj.

Mediat europiane raportojnë se përfaqësues të Ministrive të Energjitikës dhe Telekomunikacionit diskutuan draftin e fundit për heqjen e roaming, duke bërë avancime të rëndësishëm në parimet dhe objektivat kryesore të parashtruara nga BE-ja. Pjesëmarrësit ranë dakord për nevojën e një takimi në nivel ministror në janar të vitit 2019 për të çuar deri në fund këtë nismë.

Këshilli i Bashkëpunimit rajonal

Iniciativa për heqjen e tarifave të roamingut për Ballkanin Perëndimor është marrë fillimisht nga Maqedonia, Bosnja Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat kanë arritur një marrëveshje për uljen e çmimeve të thirrjeve telefonike jashtë vendit dhe më pas Shqipëria dhe Kosova shprehën gatishmërinë e tyre për t'u bashkuar kësaj iniciative.

Por ndërkohë që vendet e tjera të rajonit vazhduan këtë proces me hapa të vegjël, Prishtina dhe Tirana u bënë të parat që firmosën heqjen plotësisht tarifat e roaming.

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Peje, kryeministri Edi Rama deklaroi se duke filluar nga një janari shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri do të mund të komunikojë pa roaming.

“Shqiptarët nuk do të përdorin më Roaming për të komunikuar me njëri-tjetrin. Ky është një vendim që do të hyjë në fuqi që nga një janari me apo pa dëshirë e te tjerëve.”, deklaroi kryeministri Rama. Gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Pejë, Kosova dhe Shqipëria çuan përpara këtë nismë dhe nënshkruan një marrëveshje për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike.

Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj

Ndërkohë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) thotë në strategjinë dhe planin e tij të veprimit se këtë vit janë ndërmarrë hapa të prekshëm edhe në drejtim të heqjes së tarifave të roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse ky proces nuk u mbyll ashtu siç parashikohet brenda vitit 2018.

"Shqipëria është duke nënshkruar marrëveshje dypalëshe me secilin vend. Procesi do të kërkojë konsultime me secilin aktor dhe një vlerësim të ndikimit që do të ketë reduktimi i tarifave për ofruesit e telefonisë celulare, "thotë AKEP në një deklaratë.

Edhe pse një nismë e tillë është një hap i madh në lidhje me të drejtat e konsumatori, heqja e tarifave roaming për vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë jo vetëm një çështje ekonomike, por edhe politike.

Liderët e Ballkanit Perëndimor

Kjo çështje mori një rëndësi të madhe edhe brenda Bashkimit Europian, pasi Bullgaria ka marrë kryesimin gjashtëmujor të BE-së më 1 janar, duke e vënë rajonin e Ballkanit Perëndimor në krye të agjendës.

Ambasadori i Bullgarisë në Bashkimin Europian deklaroi disa kohë më parë se kishte punuar vazhdimisht për të zvogëluar tarifat e roaming-ut të telefonisë mobile midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne besojmë se përmirësimi i lidhjeve do të ndihmojë zhvillimin e përgjithshëm të rajonit të Ballkanit. Me këtë, kam parasysh lidhjet në transport, energji, telekom dhe në arsim”, tha Dimitar Tzantchev.

Ndërkohë BE-ja deklaron se po punon për uljen e tarifave midis shteteve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, me synim që ato të eliminohen plotësisht në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë